English

Tregti e lirë me SHBA dhe Rusinë

Ne do të përqendrohemi në fushën e tregtisë, do të përqendrohemi të negociojmë një marrëveshje të tregtisë së lirë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pse jo dhe me Rusinë. Pra, do të fillojmë të ndërmarrim iniciativa që hapësira e tregtisë së lirë e Shqipërisë të zgjerohet edhe me këto dy vende dhe fuqi ekonomike shumë të mëdha të botës

Nga Dritan Prifti*

Duke qenë se jemi në një forum ekonomik, unë do të përqendrohesha menjëherë te çështjet ekonomike të përbashkëta mes dy vendeve. Ka një klimë shumë të mirë mes dy vendeve. Politikisht është një klimë e shkëlqyer, kurse ekonomikisht të gjithë ne, ashtu siç po bëjmë sot, duhet të përpiqemi për ta rritur stadin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Kemi pasur një volum tregtar afërsisht 40 milion euro mes Shqipërisë dhe Polonisë, nga të cilat 39 milion janë importe që vijnë nga Polonia drejt Shqipërisë dhe pothuajse më pak se sa një milion euro janë eksportet shqiptare drejt Polonisë. Nuk ka rëndësi fakti nëse janë më shumë eksportet apo importet, por fakti që ne kemi mundësi shumë më të mëdha për të rritur bashkëpunimin e ndërsjelltë mes dy vendeve dhe bizneseve tona.

Shqipëria dhe Polonia kanë një gjë të përbashkët, e cila spikat në fushën ekonomike. Gjatë vitit 2009 dy vendet e vetme në Europë që kanë njohur rritje ekonomike janë Shqipëria me rreth 3.5 për qind rritje te GDP dhe Polonia me afërsisht 2 për qind rritje të GDP. Janë dy vendet e vetme në Europë që në vitin 2009 kishin rritje ekonomike, në një kohë që vendet e tjera europiane kanë qenë në një situatë krize globale dhe kanë njohur rënie ekonomike, deri në 5 për qind. Në këtë kontekst, bashkëpunbimi mes dy vendeve tona mund dhe duhet të jetë më i lartë, më eficient. Jemi dy vendeve që rritemi. Kemi një kuadër ligjor mes dy vendeve tona, që e ndihmon ekonominë, shkëmbimet dhe biznesin. Kemi një marrëveshje të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar të firmosur që në vitin 1993. Kemi marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve të firmosur që në 1993. Kemi marrëveshje për eleminimin e taksimit të dyfishtë që në 1995. Kemi një protokoll të bashkëpunimit në fushën e SME-ve të firmosur në vitin 2002. Ka një marrëveshje me Albinvest, siç ka dhë një marrëveshje kuadër të bashkëpunimit ekonomik të firmosur në vitin 2007.

Pra, na aspektin legjislativ investimet e ndërsjellta mes dy vendeve, tregtia mes tyre, është plotësisht e siguruar dhe e mbrojtur. Ka garanci të investimeve, ka eleminim të taksimit të dyfishtë, ka dhe një klimë shumë pozitive besimi dhe miqësie mes të dy vendeve, e cila duhet të kishte garantuar edhe një volum më të madh shkëmbimesh mes dy vendeve. Megjithëse, në 10 vjeçarin e fundit, mesatarisht volumi i shkëmbimeve mes dy vendeve është rritur rreth 25 për qind në vit. Pra, rritja ka qenë e konsiderueshme.

Me këtë rast dua të inkurajoj biznesin polak për ta parë Shqipërinë si një vend ku mund të investohet me sukses dhe me fitime, në mënyrë të sigurt, njëlloj si në Poloni.

Ne jemi sot vendi me taksat më të ulëta në Europë. Këtë e them me kënaqësi. Ndër gjithë vendet europiane, Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksave, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat, që ka shkuar në nivel të sheshtë, dhe tendenca për të vazhduar uljen e taksave. Tatimin e vlerës së shtuar, në fillim të vitit që vjen, do ta çojmë nga 20 në 10 për qind, të paktën për arsimin, shëndetësinë dhe teknologjinë e informacionit. Edhe në mes të vitit të krizës, në vitin 2009, kemi ulur taksën që paguajnë punëdhënësit për sigurimet shoqërore. Në aspektin e taksave, Shqipëria është vendi me më shumë interes se çdo vend tjetër në Europë, për shkak të barrës fiskale. Shqipëria kë një fuqi punëtore të re, mosha mesatare në Shqipëri sot është 31 vjeç. Jo vetëm të re, por edhe të kualifikuar. Jo vetëm të re dhe të kulifikuar, por edhe të lirë. Ne sot për bizneset që kanë koston e punës si kosto kryesore, rroga minimale e fiksuar në ligj është 18 mijë lek të reja në Shqipëria, më e ulëta në të gjithë Europën. Shqipëria paraqet më shumë interes se sa Kina, sesa India dhe se sa vendet e Afrikës Qëndrore, ku bizneset e fasonëve janë të përqendruara.

Ne kemi bërë investime shumë të rëndësishme në infrastrukturën e vendit. Ata që e kanë vizituar Shqipërinë 2-3 vjet më parë, shohin sot në Shqipëri ndryshime të jashtëzakonshme, hove të mëdha ndryshimesh në të gjitha aspektet. Kemi ndërtuar një infrastrukturë rrugore moderne, nga jugu në veri. Kemi garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë llojet e konsumatorëve të vendit. Kemi investuar fuqishëm në sektorin e ujësjellësve dhe të kanalizimeve, ashtu siç kemi investuar dhe kemi në proces investimi në të gjithë sistemin e porteve në Shqipëri.

Në se do të flasim për elementin e tregut, Shqipëria sot nuk është vetëm një vend me 3.5 milion banorë. Nuk ka vetëm një treg prej 3.5 milionë banorë, sepse ne kemi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian, kemi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë dhe me gjithë vendet e rajonit, CEFTA-ës, të cilat nuk janë pjesë e BE. Tregu shqiptar është duke u parë pothuajse i pashkëputur me tregun e Kosovës dhe të Maqedonisë. Në vitet e fundit, kompanitë që investojnë në Shqipëri, menjëherë ngrenë filialet e tyre në Kosovë dhe Maqedoni. Pra tregu nga 3.5 milion që ka qenë disa vite më parë, për shkak të zhvillime të ndryshme gjeopolitike, është dyfishuar.

Ne kemi bërë investime të rëndësishme dhe efektive për klimën e biznesit në vend. Në indeksin e Bankës Botërore, Doing Bussines, ne jemi rreshtuar në vitin 2008 si një nga 10 vendet e para reformatore për klimën e biznesit dhe mbështetjes ndaj biznesit.

Kemi krijuar një Qendër Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve, e cila mundëson që një biznes të regjistrohet në Shqipëri brenda një dite, me kosto me më pak se sa 1 euro. Nëse e krahasojmë këtë me situatën e dy apo tre vjet më parë, duheshin 36 ditë për të regjistruar një biznes në Shqipëri, kohë e cila është reduktuar në vetëm një ditë.

Kemi krijuar një Qendër Kombëtare të Licencimit, ku sot të gjitha bizneset, vendase apo të huaja, mund të marrin në një periudhë një javore rreth 75 për qind të licencave që duhen për të bërë biznes në Shqipëri. Kemi ecur shumë shpejt, në disa raste dhe shumë më shpejt se sa disa vende që sot janë pjesë e Bashkimit Europian. Ne jemi sot nga vendet e vetme në botë që të gjitha tenderat dhe prokurimet i bëjmë në mënyrë elektronike, online, gjë e cila ka ndihmuar shumë në uljen e korrupsionit në vend, por dhe rritjen e eficiencës së shpenzimeve pbublike. Shqipëria sot është një vend shumë stabël, në të gjitha kuptimet. Raportet e kriminalitetit e rendisin Shqipërinë me krim më të ulët se sa mesatarja e vendete të BE sot.

Pra, Shqipëria është një vend tepër i sigurt për të bërë biznes dhe për të fituar nga biznesi. Është një vend ku si rrallë ndër vendet e tjera europiane ka mundësi për të bërë investime Green Field, pra investime të plota. Ne kemi shumë sektorë ku mund të investohet me eficiencë dhe shumë leverdi. Do të përmendja sektorin energjetik, ku Shqipëria është kampion në Europë në lidhje me prodhimin e energjive nga burime të rinovueshme. 100 për qind e energjisë që konsumojnë sot bizneset apo të gjithë konsumatorët në Shqipëri është nga uji, energji elektrike e prodhuar nga uji. Ne kemi mundësi dhe potenciale për të prodhuar energji nga uji të paktën edhe dy herë më shumë se sa kapacitetet që kemi sot të instaluara. Pra, në qoftë se kapaciteti prodhues i Shqipërisë sot është pak më shumë se sa 1500 MË, ne kemi mundësi imediate vetëm në hidrocentrale të ndërtojmë edhe 3000 MË të tjera.

Vendi është shumë i pasur me burime ujore. Sot në detin Mesdhe rreth 15 për qind e ujërave që derdhen janë nga Shqipëria, nga kufiri detar shqiptar. Kemi potenciale për prodhimin e energjisë nga era të paktën rreth 3000-3500 MË instalime të reja. Kemi potenciale për energji gjeotermike, termike. Jemi të hapur dhe për prodhim të energjisë bërthamore. Po punojmë fort për të krijuar një kuadër legjislativ, monitorues dhe mbrojtës, për të ndërtuar kapacitete institucionale që të kemi mundësi t’i hapim rrugën dhe investimeve në energjinë bërthamore, për nevoja civile.

Shqipëria është e pasur me minerale. Pasuritë tona në minerale janë shumë të mëdha dhe të krahasueshme me vende që janë të pasura me minerale sot në botë. Jemi të pasur me mineralin e kromit, të bakrit, të hekurit dhe të nikelit, të silikateve e të bazalteve, titanium dhe uranium. Shqipëria është një vend i vogël, por shumë i pasur përsa i përket nëntokës. Jemi të pasur me naftë dhe me gaz. Ne jemi duke privatizuar kompaninë Albpetrol, e cila është kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës në vend. Burimet ekzistuese dhe të njohura, pra rezervat e naftës dhe të gazit në vend, janë sot të mjaftueshme të paktën edhe për 400 vjet të tjera, për këtë nivel konsumi që kemi. Pra, kemi rezerva të mëdha në naftë dhe në gaz, por pretendojmë të thithim më shumë investime në naftë dhe në gaz, për të rritur më shumë kapacitetet prodhuese dhe nxjerrëse të vendit, pse jo për të mbuluar brenda një hapësirë tre apo katër vjeçare të gjithë konsumin e vendit nga prodhimi vendas.

Turizmi është një potencial i madh i Shqipërisë. Zonja Ambasadore përmendi që, kompanitë turistike polake kanë ardhur për të parë tregun shqiptar dhe për të bashkëpunuar me operatorët tanë në fushën e turizmit. Përveçse si destinacion turistik me veçori të jashtëzakonshme, Shqipëria është një vend që mund të mirëpresë investime të jashtëzakonshme në fushën e turizmit. 94 për qind e bregdetit shqiptar është i pandërtuar dhe i pazhvilluar. Pra, një potencial i jashtëzakonshëm për investitorë vendas dhe të huaj që duan të përqendrohen në fushën e turizmit, dhe turizmi në Shqipëri ka qenë një nga faktorët kryesorë në vitet e fundit që ekonomia jonë vazhdon të rritet. Kemi arritur numrin e 3 milion turistëve vitin e kaluar. Është e pakrahasueshme me 5 vjet më parë, kur kishim vetëm 250 mijë turistë në vend. Pra, në një periudhë pesë vjeçare ka pasur një shumëfishim të numrit të turistëve në vend, që sigurisht ka ardhur nga investimet që ka bërë qeveria në infrastrukturë, jo vetëm turistike, por rrugore, në energji, në kanalizimeve, etj.

Gjithashtu, kjo rritje ka ardhur edhe si pasojë e pasurive kulturore që ka Shqipëria. Shqipëria është një nga vendet, që po të marësh veprat e mbrojtura nga UNESCO, ka më shumë se sa të gjitha vendet e tjera të rajonit. Pra, është një vend që ka potenciale jo vetëm për turizmin detar dhe malor, por edhe për turizmin kulturor. Me interes janë investimet në fushën e bujqësire në Shqipëri. Ne jemi të hapur për të pritur investime në të gjitha fushat e industrisë, nga ajo metalurgjike, kimike, plastike, industritë fasone, etj.

Kemi planifikuar hapjen dhe zhvillimin e të paktën 6-7 parqe industriale, në të gjithë vendin, kryesisht në zonat e bregdetit dhe afër porteve kryesore të vendit, me synimin për të thithur investitorë të huaj, për t’u ofruar atyre infrastrukturë pothuajse falas nga qeveria, për të investuar me qëllim rritjen e punësimit dhe rritjen e shkallës së prodhueshmërisë së ekonomisë së vendit.

Ne kemi shpresë që do të gjejmë interes investitorësh për të zhvilluar parqet industriale, zonat e lira ekonomike, ku aty të shpërngulen kompani të mëdha europiane, që kanë nevojë të shfrytëzojnë infrastrukturën falas, fuqinë më të lirë punëtore në Europë, taksat më të lira sot në Europë, dhe për të arritur tregje pa tarifa, për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që ka firmosur Shqipëria me vendet e tjera.

Ne do të përqendrohemi në fushën e tregtisë, do të përqendrohemi të negociojmë një marrëveshje të tregtisë së lirë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pse jo dhe me Rusinë. Pra, do të fillojmë të ndërmarrim iniciativa që hapësira e tregtisë së lirë e Shqipërisë të zgjerohet edhe me këto dy vende dhe fuqi ekonomike shumë të mëdha të botës.

Kemi shumë hapësira edhe për bashkëpunimin mes rajoneve të ndryshme të Polonisë, qeverive vendore dhe rajonale, me rajonet e ndryshme të Shqipërisë. Kam dëgjuar që këtu sot ka dhe përfaqësues të rajoneve të Polonisë. Ne kemi rajone shumë të rëndësishme në vend, të cilat mirëpresin binjakëzimet me rajonet polake, mirëpresin shkëmbimin e eksperiencave, por mirëpresin dhe investitorë dhe biznese që vijnë prej këtyre rajoneve, duke i ofruar atyre mundësi shumë më të mëdha për mbështetje.

Unë jam shumë i kënaqur nga ky takim dhe shpresoj që të jetë një nxitje për të ecur me tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona dhe mbi të gjitha bashkëpunimi mes sektorëve privatë të Polonisë dhe Shqipërisë, që të kemi mundësi në pak kohë të shënojmë dyfishime, trefishime apo dhe më shumë të volumeve e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve mes dy vendeve tona.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si ministria kryesore në bashkëpunim ekonomik me jashtë, ju garanton që tek ne do të keni një partner serioz, shumë të interesuar për të mbështetur çdo iniciativë që ju keni për të bashkëpunuar dhe për të investuar në Shqipëri.

Ju falendëroj për organizimin e këtij takimi dhe mirëpres takime të tjera të kësaj natyre, por edhe mirëpres çdo zyrtar, çdo kompani apo çdo investitor që do të ketë dëshirë të kontaktojë me mua drejtpërdrejt, për të kërkuar ndihmën time personale, në realizimin e qëllimeve tuaja.

(*) Fjala e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në Ditën Ekonomike të Polonisë

KOMENTE