Vlorë: Stabilizohen Kushtet Atmosferike, Nis Rritja E Temperaturave
VLORË, 7 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Prej dy ditësh situata meteorologjike në gjirin detar të Vlorës ka nisur të stabilizohet, çka po shoqërohet edhe me rritjen graduale të temperaturave. Kjo tendencë do të spikasë edhe gjatë ditës së sotme, kur moti parashikohet të jetë i kthjellët me vranësira të pakta. Drejtimi i erës do të ndryshojë në orët e pasdites në kuadratin Jug-Juglindje, ndërsa kushtet e lundrimit do të jenë të favorshme për të gjitha mjetet.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, në pjesën e parë të ditës era do të ketë drejtimin në kuadratin Veri-Veriperëndim, me shpejtësi nga 4-6 m/sek, deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 25-27 gradë celcius dhe ato minimale në 15-17 gradë celcius. Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 4-5 ballë në det të hapur.
Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës./s.s./