Xhixho: Operatorët Të Interesuar Për Futjen E Shërbimit 3G Në Tregun Shqiptar
TIRANE, 7 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në përmbyllje të fazës së konsultimit publik për dhënien e autorizimeve për shërbimet 3G, vlerësoi se kompanitë që operojnë në tregun shqiptar janë të interesuar për futjen e kësaj teknologjie.
Kryetari i AKEP-it, Pirro Xhixho, tha sot gjatë një konference për shtyp, se përfundimi me sukses i këtij procesi do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimet e projekteve të qeverisë shqiptare për të arritur objektivat e saj për një Shqipëri dixhitale.
"Kjo infrastrukturë që ofron kapacitete të larta komunikimi jep të gjitha shanset që interneti të arrijë në çdo shtëpi", deklaroi Xhixho, ndërsa shtoi se "do të jetë një faktor i rëndësishëm në zhvillimet e aplikacioneve të ndryshme që ka nevojë biznesi, edukimi , shkenca, shëndetësia etj".
Raporti që do të hartohet nga grupi i punës i AKEP-it, sipas kreut të këtij Autoriteti, pas miratimit në Këshillin Drejtues do t'i kalojë Ministrit, i cili vendos për kriteret që duhen patur parasysh në garë, që janë çmimi dhe numri i autorizimeve.
Për të mbështetur këtë proces, u shpreh Xhixho, pritet të dalin dhe dy vendime të qeverisë për pagesat e frekuencave dhe për një ndryshim në rregulloren e bërjes së garës që do të lehtësojë dhe shmangë ndonjë pengesë në proces.
Kreu i AKEP-it bëri të ditur se, konkurrenca në këtë treg është e domosdoshme për të sjellë tregues të lartë të cilësisë të sherbimeve UMTS, por dhe çmime konkurruese dhe impakte pozitive në ekonominë dhe familjen shqiptare.
3G do të jetë një infrastrukturë e ofrimit të internetit, komplementare me sistemet me tel që bazohen te tekonologjia ADSL dhe sisteme të tjera pa tel (wireless) që operojnë në Shqiperi, duke plotësuar kështu të gjithë spektrin e teknologjive që përdoren sot në botë për ofrimin e internetit.
AKEP gjatë muajit maj zhvilloi konsultime publike në kuadrin e transparencës së procesit të dhënies së autorizimeve për shërbimet 3G në brezat 1900-1980 MHz, 2010-2025 MHz dhe 2110-2170 MHz.
Ky autoritet bëri më parë studimin teknik të brezit si dhe analizoi tregun e shërbimeve të komunikimeve elektronike, aftësinë konkurruese të tregut për këtë shërbim. duke percaktuar katër autorizime si mundësi teknike.
Operatorët në tregun shqiptar, sipas Xhixhos, ka reaguar pozitivisht.. "Operatorët kanë bërë komente dhe sugjerime për mënyrën e procedimit të mëtejshëm, ndërsa kanë kërkuar marrjen në konsideratë të gjendjes aktuale të tregut shqiptar", tha Xhixho.
Në tregun botëror, rrjetet dixhitale të telefonisë së lëvizshme kanë njohur një "boom" zhvillimi në dy dhjetëvjeçaret e fundit
Si në vendet e tjera të Europes konkurrenca vitet e fundit është futur edhe në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, që aktualisht ka të autorizuar katër operatorë: AMC, Vodafone Albania, Eagle Mobile, dhe Al.04.
Gjenerata e tretë (3G) e sistemeve të komunikimit të lëvizshëm në sajë të suksesit prezent të rrjeteve të gjenerates së dyte (2G) si GSM, do të jetë e aftë t'ju sigurojë përdoruesve aplikime në kufij të gjerë nëpërmjet kapacitetit të lartë të shërbimeve multimediale. Kushti kryesor që AKEP ka vendosur është maksimalizimi i shërbimeve publike të komunikimit (te lëvizshme dhe fikse), rritja e cilesise se tyre si dhe ofrimi i çmimeve te favorshme.
Ky kusht lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, si dhe përmirësimin e ambientit konkurrues në tregun e shërbimit publik të komunikimeve elektronike. /s.s./