Tiranë, 8 qershor, NOA - Punonjësit e administratës së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) kanë dhuruar gjatë ditës së sotme gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
Duke iu bashkuar fushatës që po organizohet nga Kryqi i Kuq Shqiptar në prag të ditës botërore të Gjakut në 14 qershor këta punonjës duke qenë edhe më afër sistemit shëndetësor dhe pacientëve në nevojë i janë bashkuar kësaj fushate.
Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi pas dhurimit të gjakut ka pohuar se kjo ishte një nga nismat e para për të ndihmuar fëmijët talasemikë.
“Shpesh herë mjekët kërkojnë gjak për fëmijët talasemikë, apo pacientët në nevojë. Duke qenë se ne jemi në krye të këtij institucioni jemi bashkuar fushatës. Por, unë premtoj që të tilla nisma do të ketë edhe në muajt në vazhdim dhe jo vetëm me administratën por me të gjithë punonjësit” ka pohuar Dashi.
Sipas tij, në muajin shtator do të organizohet një dhurim vullnetar i të gjithë punonjësve të QSUT-së, rreth 2800 persona. Dhurimi do të jetë pikërisht në kohën kur bankat e gjakut gjenden në kohën më të vështirë të tyre, pas periudhës së verës.
Ndërkohë që përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Shqiptar kanë apeluar që të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë fushatë pasi vendi ynë ka një nivel dhe kulturë të ulët të dhurimit vullnetar të gjakut.
NOA