Tiranë, 8 qershor, NOA Update – Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka akuzuar sot Kryeministrin Berisha se po e çon vendin drejt shkatërrimit duke mos pranuar kompromisin për kërkesat e opozitës.
Balla u shpreh, në një konferecë për mediat se sot Shqipëria gjendet në një krizë të thellë: politike, ekonomike dhe institucionale.
“Sali Berisha, timonieri i rrangallës së kësaj mazhorance duhet të heqë dorë nga zanati i vjetër i shurdhit, por të pranojë kompromisin, duke i hapur rrugë transparencës”, tha Balla.
Duke e cilësuar situatën në vend si një udhëkryq, Balla akuzoi Kryeministrin Berisha. “Është faji i Sali Berishës që sot shqiptarët paguajnë më shumë dhe blejnë më pak. Është faji i Sali Berishës që çmimet rriten, ndërsa shumica e familjeve shqiptare përballen me pamundësinë për përmbushur nevojat për ushqimet dhe mallrat bazë”, tha ai.
Deputeti i PS-së e ka akuzuar Kryeministrin dhe për vonesat që janë bërë në proceset integruese të vendit.
Sipas tij “është faji i Sali Berishës që integrimi evropian po vonon, liberalizimi i vizave ka ende kritere të paplotësuara, ndërsa Shqipëria mbetet e fundit në Ballkan”.
m.xh/NOA