English

Basha apel drejtuesve të njësive vendore: Emërtoni rrugët brenda muajit qershor

Tiranë, 8 qershor, NOA – Ndërsa flitet për integrim të vendit në BE, Ministri i Brendshëm e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që në shumë njësi vendore nuk ka emra rrugësh dhe Këshillat Bashkiak nuk kanë bërë detyrën.

Për këtë qëllim, në një takim të zhvilluar sot me 73 drejtuesit e pushtetit vendor, Basha ka kërkuar që deri në fund të muajit të jetë bërë emërtimi i të gjitha rrugëve. “Vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010. Ministria e Brendshme e konsideron të papranueshme që përfundimi i kësaj detyre mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara”, tha Basha.

73 njësivtë vendore, bashki e komuna, janë në fazën e emërtimit të rrugëve dhe ende nuk kanë marrë vendime në këshillat bashkiakë dhe komunalë për këtë çështje.

Projekti në fjalë shërben për regjistrimin elektronik të adresave.

Duke garantuar se nuk do të kursehet asnjë përpjekje, asnjë resurs për të përfunduar këtë projekt brenda kohës së caktuar, Ministri Basha u shpreh ky projekt e zhvendos Shqipërinë nga orbita e një vendi me mekanizma të botës së tretë në një vend që ka infrastrukturë moderne, bashkëkohore, të nivelit më të lartë teknologjik.

Gjatë takimit u vrejt se këto njësi me ecuri më të ngadaltë në projekt, janë pjesë e grupit të parë, të dytë e të tretë të projektit, grupe në të cilat janë rreth 220 njësi vendore, që në tërësi mbulojnë një territor ku banojnë rreth 3.8 milion qytetarë.

Ndërkohë për njësitë vendore të grupit të katërt dhe të pestë u la detyrë nga Ministri Basha që të përfundojnë emërtimin e rrugëve dhe pjesëve të tjera të territorit publik brenda muajit korrik 2010.

“Regjistrin elektronik e përfunduam, pajisja e qytetarëve me dokumentat e identitetit po ecën në mënyrë optimale, me shifrat më të larta në rajon, mbetet që çdo qytetar në mënyrë elektronike të ketë “shtëpinë e tij dixhitale” në regjistrin elektronik të adresave të Republikës së Shqipërisë”, tha Basha.

m.xh/NOA

KOMENTE