Basha : E Papranueshme Situata E Krijuar Në Trafikun E Tiranës
- Shprehet ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në Konferencën Kombëtare për Dixhitalizimin e Sistemit të Adresave
TIRANË, 8 Qershor /ATSH, Mira Shkurta / - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha garantoi sot angazhimin e plotë të strukturave të qarkullimit rrugor për të menaxhuar situatën dhe i kërkoi Bashkisë së kryeqytetit që të marrë të gjitha përgjegjësitë për të zhbllokuar kolapsin ku është futur trafiku i kryeqytetit .
I pranishëm në Konferencën Kombëtare të zhvilluar sot në Tiranë për Sistemin e Dixhitalizimit të Adresave në Shqipëri", ministri i Brendshëm, Basha u ndal dhe në situatën e krijuar prej më se dy muajsh në kryeqytet, pas fillimit të punimeve në sheshin "Skënderbej", duke e cilësuar atë të papranueshëme, jo europiane dhe me efekte negative jo vetëm për qytetarët, por dhe për imazhin vendit.
" Duke respektuar të gjitha kompetencat ligjore që ka Bashkia e Tiranës për çdo pjese të territorit që ka në administrim, nuk mund të presim që, si rezultat i vendimeve të pastudiuara , kur trafiku është në kolaps të plotë, qytetarët të marrin në dorë fatin e tyre dhe të ç'bëjnë ligjet dhe rendin", u shpreh Ministri Basha.
Basha i sugjeroi autoritetet e Bashkisë së kryeqytetit që të marrin të gjitha përgjegjësitë për të zhbllokuar situatën e krijuar në trafikun e Tiranës dhe garantoi se se ashtu sikurse deri tani, Policia rrugore mbetet e angazhuar dhe do të bashkëpunojnë në mënyrë të plotë dhe në interest ë qytetarëve.
Duke i cilësuar "të papërgjëgjshme përdorimin e kompetencave nga zyrtarët e Bashkisë", ministri i Brendshëm i kërkoi strukturave të Bashkisë së Tiranës që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve.
"Në të kundërt, ministria e Brendëshme dhe Policia e Shtetit do të veprojnë për të zhbllokuar situatën e krijuar në trafik. Ne nuk do të rrijmë më duarkryq dhe të arrijmë në një konflikt të hapur mes qytetarëve dhe të zgjedhurve vendorë", tha ai.
Qytetarët e Tiranës për shkak të punimeve që kanë nisur prej 28 marsit në sheshin "Skënderbej", bllokimeve në disa prej akseve kryesore rrugore si dhe një plani të vështirë e të pastudiuar për mënyrën e lëvizjes së automjeteve, po përballen me një trafik tejet të rënduar.
Ekspertë të shumtë në fushën e qarkullimit rrugor kanë ngritur shqetësimin për mungesën e një plani të mirëmenduar të menaxhimit të trafikut gjatë kohës së punimeve në sheshin "Skënderbej".
Ndërsa ekspertë të Qarkullimit Rrugor në policinë e Tiranës shprehen se sinjalistika e përkohëshme e vendosur në sheshin "Skenderbej" është vendosur nga persona jo kompetentë, pa u studiuar më parë rrymat e trafikut në të gjitha drejtimet e detyrueshme që çojnë automjetet drejt sheshit kryesor në Tiranë.
"Me gjithë ndihmën dhe angazhimin e shërbimeve të qarkullimit rrugor me efektiva të shumtë për rregullimin e trafikut është e vështirë menaxhimi i situatës së qarkullimit, ndërsa vendosja e sinjalistikës rrugore dhe skema e lëvizjes së automjeteve drejt qendrës të kryeqytetit, është kompetencë e Entit Pronar të Rrugëve", shprehet Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj./n.m/