Basha :Modernizimi I Sistemit Të Adresave, Kërkohet Bashkëpunim Në Nivel Qendror E Lokal
TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Mira Shkurta/.-Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u bëri apel sot të gjithë përfaqësueve të njësive vendore, bashkive e komunave, të cilat janë ende në fazën e emërtimit të rrugëve dhe nuk kanë marrë vendime në këshillat bashkiakë dhe komunalë, të bashkëpunojnë në nivel qendror dhe vendor, për ecurinë e procesit të dixhitalizimit të sistemit të adresave në Shqipëri.
Në një takim me 73 përfaqësues të njësive vendore, bashkive e komunave për ecurinë e procesit të dixhitalizimit të sistemit të Adresave në Shqipëri, ministri i Brendshëm kërkoi që "vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit, në njësitë e mbetura, të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010".
Ministri Basha u kërkoi të zgjedhurve vendorë të bashkëpunojnë për një të ardhme europiane për Shqipërinë, dhe pavarësisht ngjyrave politike, me vendimmarrje të përbashkëta, në nivel qendror dhe lokal, të përmbyllet kjo fazë e rëndësishme e implementimit të këtij projekti.
Basha kërkoi nga bashkitë dhe komunat, të cilat ende nuk kanë përfunduar emërtimin e pjesëve të mbetura të territorit të tyre, të ngrenë urgjentisht strukturat paraprake, grupe që do të lehtësojnë përfundimin e numërtimit të rrugëve brenda korrikut 2010.
Ai e cilësoi të papranueshme, që "përfundimi i kësaj detyre, mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara".
Këto njësi me ecuri më të ngadaltë në projekt, janë pjesë e grupit të parë, të dytë e të tretë të projektit, në të cilat janë rreth 220 njësi vendore, që në tërësi mbulojnë një territor ku banojnë rreth 3.8 milion qytetarë, pra pjesa më e madhe e popullsisë.
Ministri i Brendshëm kërkoi që njësitë vendore të grupit të katërt dhe të pestë të përfundojnë emërtimin e rrugëve dhe pjesëve të tjera të territorit publik brenda muajit korrik 2010.
Duke garantuar se nuk do të kursehet asnjë përpjekje, apo mbështetje financiare për të përfunduar këtë projekt brenda kohës së caktuar, ministri Basha u shpreh se ky projekt e zhvendos Shqipërinë nga orbita e një vendi me mekanizma të botës së tretë, në një vend që ka infrastrukturë moderne, bashkëkohore, të nivelit më të lartë teknologjik, të gjendshëm në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
"Përfunduam me sukses Regjistrin Elektronik të Gjendjes Civile, pajisja e qytetarëve me dokumentat e identitetit po ecën në mënyrë optimale, me shifrat më të larta në rajon, ndërkohë që mbetet që çdo qytetar në mënyrë elektronike të ketë "shtëpinë e tij dixhitale" në regjistrin elektronik të adresave të Republikës së Shqipërisë", u shpreh Basha.
/s.s./