English

Berisha: Jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin

Tiranë, 8 qershor, NOA – Në 1 vjetorin e krijimit të Qendrës Kombëtare të Licensimit, Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar hapjen e këtij institucioni si një masë efikase për parandalimin e korrupsionit.

“Frymëzimi për të ngritur një Qendër të tillë ishte para së gjithash, lufta me tolerancë zero kundër korrupsionit. Qeveria është e vendosur të marrë çdo masë, për të çrrënjosur, për të luftuar këtë kancer, i cili kërcënon më shumë se çdo gjë tjetër klimën e biznesit, por edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit”, tha Berisha.

Ai theksoi se krijimi i këtij institucioni është mesazhi më i shkëlqyer që ne i japim investitorëve të huaj. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se në një kohë të shkurtët nga kjo qendër janë dhënë 3 mijë licenca.

Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) është ngritur me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, nëpërmjet USAID, duke pasur si synim reduktimin e korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Ndërsa reforma në fushën e licencimit dhe hapja e sportelit me një ndalesë të aplikimeve energjetike pranë kësaj Qendre realizohet në bashkëpunim me qeverinë gjermane, nëpërmjet Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ).

m.xh/NOA

KOMENTE