Borchardt:Procedurat Transparente Të Licensimit, Inkurajim Për Investime Të Metejshme
- Në 1-vjetorin e hapjes së Qendrës Kombëtare të Licensimit -
TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Ambasadori gjerman në Tiranë, Berndt Borchardt tha sot se "procedurat transparente dhe efikase që ofron Qendra Kombëtare e Licensimit (QKL) do të inkurajojnë investimet e mëtejshme vendase dhe të huaja në Shqipëri".
Në ceremoninë e organizuar në 1-vjetorin e hapjes së QKL-së, ambasadori Borchardt, vendi i të cilit mbështet reformat në fushën e licensimit në Shqipëri përmes projekteve që zbaton Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ), tha se "Komisioni Europian ka propozuar lehtësimin e vizave për shqiptarët, sapo Shqipëria të ketë plotësuar kushtet e vëna dhe një prej tyre është zbatimi efektiv i luftës kundër korrupsionit përmes krijimit të një kuadri të fortë legjislacioni".
Ai vlerësoi përurimin sot pranë QKL-së të degës për fillimin e aplikimeve në fushën energjitike si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe për antikorrupsionin.
"Kjo është shumë e rëndësishme për vendin. Në vitin 2007 kryeqyteti buçiste nga gjeneratorët dhe tashmë kjo është një histori e shkuar. Të gjithë e kujtojmë situatën delikate të demonstruar në fund të vitit 2007. Investime të tjera në fushën e energjisë do të bëjnë të mundur, që ky skenar të mos përsëritet më", tha kryediplomati gjerman në Tiranë./n.m/