English

Burgaj: Rezultate më të larta në luftën kundër krimit

Tiranë, 8 qershor, NOA – Kurset e trajnimit për efektivat e uniformave blu kanë sjellë një ndryshim thelbësor të punës së tyre dhe rezultate më konkrete. Ky është vlerësimi që ka dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj gjatë një vizite që zhvilloi sot në ambientet e Qendrës së Formimit Policor në prag të përfundimit të kursit të XI të shkollimit bazë të punonjësve të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, drejtori Burgaj shoqërohej nga Shefi i Programit ICITAP, Geri Bullard dhe Shefi i Projektit PAMECA III, Cecil Craig.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj shprehu vlerësimet e tij për kursin XI të shkollimit bazë të punonjësve të policisë, duke e cilësuar këtë kurs si më të mirin e deritanishëm, me një pjesëmarrje model dhe cilësore, me rezultate mjaft të larta.

Po ashtu, Burgaj, kërkoi që të mbetet një prioritet i vazhdueshëm edhe në të ardhmen “cilësia e lartë në shërbim të komunitetit në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mëdha të policisë në luftën kundër krimit dhe për një shërbim sa më cilësor për komunitetin.”

Burgaj theksoi edhe njëherë prioritetet e Policisë së Shtetit me synimin që dijet e marra në këtë trajnim të vihen në zbatim në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe heqjen përfundimtare të Shqipërisë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike, duke sjellë në vëmendje punën kolosale që po kryhet nga ana e punonjësve të policisë për arritjen e rezultateve të larta në këto drejtime.

m.xh/NOA

KOMENTE