Çmimi Kombëtar I Bibliofilisë "Lumo Skëndo" Për Vitin 2010. I Jepet Botimeve "Ombra Gvg"
TIRANË, 8 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo " (Mi'that Frashëri) për vitin 2010, iu dha botimeve "OMBRA GVG".
Për të katërtin vit radhazi, Ministria e Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, akordoi çmimin Kombëtar të Bibliofilisë "Lumo Skëndo", për realizmin e botimit "Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të Kishës Katedrale të Krishtit", nga Dr. Musa Ahmeti dhe Dr.Etleva Lala, me cilësi të veçantë "për kulturë të lartë për vlerat intelektuale dhe respektimin e normave drejtshkrimore".
"Libri mbetet një prioritet i MTKRS-së", tha Ministri i TKRS, Ferdinand Xhaferaj.
Ai siguroi se, "në funksion të këtij prioriteti ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata faktorë të rëndësishëm në fushën e letrave të cilët, bashkarisht do të ndikojmë pozitivisht në gjenerimin e kulturës së shkruar, si themel i kulturës së një kombi".
Kreu i MTKRS, Ferdinand Xhaferaj, vlerësoi gjithashtu se, "ky çmim përbën një vlerë në si në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve, ashtu edhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare".
Ndërsa botuesi i Shtëpisë Botuese, "OMBRA GVG", Gëzim Tafaj e vlerësoi këtë çmim si një nga më të rëndësishme të librit.
Në edicionin e katërt të Cmimit Kombëtar "Lumo Skëndo ", konkurruan 9 botime si, "Mjeda" nga Mentor Quku, "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë", nga Abaz Ermenji, dhe nga botimet "Balli i Kombit", "Në fillimet e Nacionalizmit Shqiptar", nga Nathalie Clayer, që vinte nga shtëpia Botuese, "Përpjekja", Dante Aligeri, "Komedia Hynore", përkthyer nga Pashko Gjeçi dhe botuar nga Shtëpia Botuese "Argeta LMG", etj.
Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe politikës shqiptare.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mit'hat Frashërit, dhe një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij..
Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet Bibliofili "Lumo Skëndo". Për herë të parë ky çmim u dha në 23 prill 2006./a.gj/