English

Dhoma e Tregtisë, së shpejti marrëveshje bashkëpunimi me Greqinë

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka zhvilloi një vizitë zyrtare ne Trikala të Greqisë

Trikala, Greqi, 8 Qershor 2010 NOA - Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka ishte për një vizitë zyrtare në Trikala të Greqisë me ftesë së homologut të Dhomës së këtij qarku, Vasilios Jajakos.

Kjo ftesë për vizitë në këtë prefekturë erdhi si një domosdoshmëri e intensifikimit të marrëdhënieve të mëtejshme me bizneset e të dy vendeve. Takimet e kryetarit të Dhomës së Tiranës me drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor si ajo me Prefektin apo me kryetarin e Bashkisë i paraprinë hapjes së panairit në këtë vend nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Trikallas.

Pritja nga dy autoritetet më të larta të qarkut ishte inkurajuese. Drejtuesit lokalë të zonës së Trikallës u shprehën të gatshëm për të kontribuar në forcimin e lidhjeve tregtare mes dy qarqeve të Tiranës dhe Trikallas.

Po kështu autoritetet vendore i shprehën kryetarit të Dhomës, vlerësimin pozitiv dhe konsideratat më të mira për komunitetin e emigrantëve në këtë qark. Në të vërtetë nuk ishte e vështirë për të konfirmuar se sa i integruar ishte ky komunitet në këtë vend. Kreu i Dhomës së Tiranës bashkë me delegacionin e biznesit që e shoqëronin konstatuan vetë një ambjent miqësor të ndërtuar nga shqiptarët dhe për shqiptarët.

Nga ana e tij kryetari Jaka në takimet që kishte me drejtuesit vendorë, vec faktit të gjetjes së një ambjenti shumë miqësor, ka bërë një prezantim të detajuar të mundësive konkrete që afron Shqipëria për të investuar.

Por ai nuk është ndalur vetëm në këtë pikë. Jaka ka bërë të qartë se janë mundësitë reale për të bashkëpunuar konkretisht bizneset e të dy vendeve, e të dy prefekturave.

Një pjesë e vecantë e takimeve ishte pritja e organziuar nga kryetari i Dhomës së Trikalës, ai që kishte bërë dhe ftesën për këtë vizitë. Në takimin me drejtuesit e këtij institucioni u evidentuan në mënyrë të plotë sektorët dhe degët prirotare për të investuar biznesmenët grek por dhe ata shqiptar.

Duke qëndruar në këtë linjë, pra në vendosjen e një marrëdhënie sa më bashkëpunuese u ra dakort që mes dy dhomave të nënshkruhet në një kohë sa më të shpejtë një marrëveshje bashkëpunimi, duke lënë të hapur mundësinë që kjo marrëveshje të nënshkruhet në Tiranë.

Pjesë e kësaj vizite ishte dhe hapja e panairit ku sipërmarrësit shqiptar prezantuan nëpërmjet Dhomës së Tiranës produktet e tyre, kryesisht ato artizanale apo ne abikulture.

Zona e Trikalës është një zonë ku kryesisht prodhohen produkte bujqësore dhe blegtorale, pra industria ushqimore zë pjesën dërrmuese të sipërmarrësve në këtë zonë.

Po ashtu në këtë vend ka sipërmarrës që merren me përpunimin e drurit apo materialeve të ndryshme të ndërtimit.

Ndaj bashkëpunimi me këtë zonë mund të shihet me interes nga sipërmarrësit shqiptar si në importimin e produkteve bujqësore apo blegtorale, ashtu dhe në një kooperim mes kompanish shqiptare me ato të Trikallës, jo vetëm për të sjellë eksperiencën e duhur në shumë sektorë të rëndësishëm, por për të bashkëpunuar e pse jo dhe për eksportuar lendën e parë nga vendi ynë.

n.s/r.n/NOA

KOMENTE