English

Diskriminimi i grave, ministria e Punës: Tregu i paguan më pak se burrat

Tiranë, 8 qershor, NOA /Blerina Ahmetaj – Ministria e Punës dhe Çwshtjeve Sociale deklaron se gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë më pak mundësi punësimi në tregun e punës.

Gjatë mbledhjes së këshillit Kombëtar të Punës, drejtoresha për barazinë gjinore, Alma Marku, tha se numri i grave aktive në punë është 44 për qind e fuqisë punëtore, por ato paguhen shumë më pak në krahasim me burrat.

“Situata e punësimit të grave paraqitet më e favorshme në sektorin e administratës , megjithatë gratë përballen me sfidën për të pasur akses në pozicionet e nivelit menaxhues. Kjo mund t’i atribuohet qëndrimeve diskriminuese të punëdhënësit ndaj grave si dhe besimit se pavarësisht faktit se gratë kanë arsim dhe kapacitete të njëjta me burrat, ato mund të mos jenë të afta për t’u marrë me pozicione menaxhuese”, u shpreh drejtoresha për barazinë gjinore në ministri, Alma Marku.

Kryetari i Konfederatës së sindikatave të pavarura Kolë Nikollaj ka propozuar që ministria e Punës të ndryshojë emrin dhe qëllimin e saj dhe të quhet ministria e Familjes që ti përkushtohet çështjeve të familjes, siç janë barazia gjinore, apo probleme të tjera që prekin familjen shqiptare.

“Prej vitesh kemi parë se kjo ministri që quhet e Punës dhe Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta nuk ka kryer asnjë prej këtyre emërtimeve. Ka ardhur koha që kjo ministri të merret me problemet e familjes, ku vërehen dhe problemet më të mëdha”, tha Nikollaj.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Punës u shoqërua dhe me debate mes ministrit të punës e kryetarit të bashkimit të sindikatave të pavarura gëzim kalaja.

Pika e nxehtë e debatit ishte rendi i ditës sipas së cilit, anëtarët e këshillit duhet të diskutonin për ecurinë e tre ligjeve, siguria e shëndeti në punë, barazia gjinore e dhuna në familje, gjë e cila u kundërshtua nga sindikatat.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE