English

Dita Botërore e Oqeaneve, alarmi: Të mbrojtura, vetëm 1% e ujërave të tyre

Romë, 8 qershor, NOA - Vetëm më pak se 1 % e ujërave të oqeaneve në mbarë botën janë të mbrojtura, ndërsa 99 % e tyre janë në rrezik për shfrytëzimin e rezervave të peshkut që gjendet në to si edhe zbulimin e naftës.

Një apel i tillë është hedhur nga autoritetet ndërkombëtare në Ditën Botërore të Oqeaneve, ku ekspertët kanë ngritur zërin për shmangien e tragjedive me ujërat e oqeaneve në botë, siç është rasti konkret i asaj që po ndodh në Gjirin e Meksikës e cila është konsideruar si një prej fatkeqësive më të rënda nga të cilat mjedisi i deteve në botë ka vuajtur ndonjëherë.

"Është koha kur kujdesi për ujërat ndërkombëtare të oqeaneve duhet që të marrin më shumë vëmendje, - thotë Marko Kostantini, përfaqësues i organizmit që merret me mbikëqyrjen e tyre, - sikundër duhet shmangur peshkimi i paligjshëm dhe të parandalohet lëvizja transoqeanike e anijeve”.

Sipas tij, fatkeqësia e Gjirit të Meksikës, do të ndikojë në ekosistemet detare dhe bregdetare, për të paktën 50 vjet.

Ndërsa për mbishfrytëzimin e rezervave të peshkut, organizata ndërkombëtare që merret me faunën, pohon të dhënat për dështimin e qeverive në menaxhimin dhe plaçkitjen e madhe të eko-sistemit të planetit për 1.2 miliardë dollarë në vit.

n.e/NOA

KOMENTE