Durrës: Celet Sezoni Turistik Në Ishëm
DURRËS, 8 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Komuna e Ishmit ka festuar sot për herë të parë hapjen e sezonit turistik me një sërë veprimtarish kultutore e sportive që synojnë të bëhen një traditë e bukur veçanërisht në bregdetin e gjiut detar të Lalzit.
Rruga Maminas-Gjiri i Lalzit, 20 km, që u ndërtua një vit më parë me investim të qeverisë shqiptare, ka afruar turistët shqiptarë dhe të huaj në bregdetin e panjohur të zonës së Shën Pjetrit, 40 km në veri të qytetit të Durrësit.
Në ceremoninë e zhvilluar me sloganin "Ishëm verë 2010" bashkë me qindra banorë të fshatrave përreth morrën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë Nasip Naço, deputetët Osman Metalla, Lefter Koka dhe Igli Cara, si dhe drejtuesit e njësive administrative të të gjithë qarkut. Bashkë me ta ndodheshin edhe mjaft pushues të kompleksit turistik "Lura".
Kryetari i komunës, Gëzim Ylli, vlerësoi investimet e kryera në këtë territor që vetëm 20 vjet më parë ishte krejtësisht i militarizuar.
"Rritja e pandërprerë e numrit të pushuesve përbën një shans të madh për banorët e komunës, vlera e trojeve të të cilëve po rritet ndjeshëm njëlloj si dhe mundësitë e punësimit," tha ai.
Prefekti i qarkut, Genc Alizoti, përshëndeti të pranishmit, duke nënvizuar vlerat bregdetare, historike, arkeologjike si dhe fillimet e agroturizmit në komunën e Ishmit.
"Ndërtimi i infrastrukturës rrugore ka afruar rrugët kombëtare me bregdetin qarkut në zonat e Ishmit, Hamallajt, Katundit të Ri, etj. duke krijuar plazhe të reja alternative për pushuesit nga Tirana apo vende të tjera," tha prefekti Alizoti.
Festa në plazhin e Shën Pjetrit ka nisur që në orët e para të mëngjesit me veprimtari sportive të futbollit, beach voley dhe tërheqje litari, ku u përfshinë, bashkë me nxënësit e shkollave të fshatrave të komunës së Ishmit, edhe sportistë profesionistë nga Durrësi dhe Tirana.
Një garë hipizmi me kuaj gjakpastër anglezë, që u organizua nga shoqata "Jockey Club Albania" zgjoi entusiazmin e fëmijëve dhe të rriturve pjesmarrëës në festë. Mes pesë kuajve konkurues trofeun "Ishëm verë 2010" e meritoi kali Startrip, i ekipit Unieuro të Durrësit, që kalërohej nga Noi.
Festa ka vijuar më pas me koncertin e nxënësve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Durrësit.
Komuna e Ishmit ka një teritor prej 95 km katrorë dhe vija e tij bregdetare që përfshin edhe kepin e Rodonit arrin në 28 km, ose 40 përqind e vijës bregdetare të të gjithë qarkut të Durrësit.
Në zonën veriore të gjiut detar të Lalzit që njihet si plazhi i Shën Pjetrit pylli me pisha 50-vjeçare shoqëron më shumë se 5 km vijë bregdetare me rërë kurative dhe gjërësi deri në 100 metra.
Gjatë verës së kaluar në këtë plazh mbërritën për herë të parë mesatarisht 7 mijë pushues në ditë dhe sipas drejtuesve vendorë pritet dyfishimi i numrit të tyre. Këto ditë në këto plazhe janë vendosur më shumë se 100 kazanë për mbeturinat urbane, ndërsa një grup prej 5 punonjësish të komunës punon vetëm për pastrimin e plazheve publike. Në hapësirën bregdetare po zbatohen një sërë projektesh për ndërtimin e fshatrave turistikë./ch/