Durres: Mot I Mire Ne Rajonin Detar
DURRES, 8 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Në rajonin detar të Durrësit edhe sot do të mbizotërojë moti i mirë me erë të lehtë dhe temperatura të larta, ndërsa kushtet detare të favorshme mundësojnë lundrimin normal të trageteve, anijeve dhe motopeshkatoreve, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit.
Katër tragetet e linjës Bari-Durrës, që kanë lundruar gjatë natës nga porti italian, po ankorohen njeri pas tjetrit në kalatat përkatëse që në orët e para të mëngjesit, ndërsa vazhdon normalisht lundrimet katamarani San Guan.
Proçesi i ngarkimit dhe shkarkimit të anijeve tregtare me mallra dhe kontejnerë si dhe trafiku i mjeteve lundruese në hyrje dhe në dalje të portit detar do të favorizohet nga moti i mirë, thanë burimet.
Era e lehtë nga veriperëndimi dhe temperaturat deri në 26 gradë celsius, duke mundësuar banjat e diellit dhe të ujit, kane lehtësuar pushuesit e parë të këtij sezoni në plazhin e Durrësit dhe në plazhet e tjera të qarkut.
Pas motit të paqëndrueshëm që mbizotëroi gjatë javës së kaluar, dy ditët e fundit drejt zonës detare nga grykëderdhja e lumit Seman deri në atë të Bunës në veri vazhdojnë gjuetinë mbi 35 motopeshkatore, përfunduan burimet e kapitenerisë së portit më të madh të vendit. /a.ke/