Ekspertet/ Ekzekutivi Duhet Te Marre Masa Konkrete Ndaj Bankave Për Uljen E Normës Së Interesit
TIRANE 8 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Ministri i Financave Ridvan Bode i ka bërë publikisht thirrje sistemit bankar në Shqipëri që të ulë normën e interesit për kreditë për biznesin, si burimi kryesor i financimit të rritjes ekonomike, por edhe për të rritur nivelin e kreditimit. Sipas tij, pasi niveli i depozitave është sa 60 % e PBB-së, ndërsa ai i kreditimit llogaritet 38% e PBB-së.
Por ekspertë të ekonomisë janë skeptikë nëse bankat do të ulin vërtet normat e interesit të kreditimit vetëm pas thirrjeve publike të ministrit të Financave.
Ata shprehen të mendimit se institucionet financiare në vend duhet të ndërhyjnë me masa konkrete.
Ish zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, aktualisht deputet i PD, tha sot për ATSH-në se bankat duhet të ulin normën e interesit. Por ai nuk është i sigurt nëse me thirrje, bankat mund të ulin normën e interesit, sepse sipas tij, ulja e normës së interesit është e lidhur me shumë faktorë sidomos me faktorët e riskut, që janë rritur në ekonomi.
"Një ndër masat stadarde që rekomandohet në këto raste është që banka qëndrore të bëjë uljen e normës së interesit për financimet ndërbankare, ose atë që njihet si norma bazë e interesit", tha Shehu.
Për të, rritja e kreditimit është e lidhur edhe me masa të tjera që lidhen me standardet e mbikqyrjes, nëse ato janë shumë të rrepta dhe nëse ka hapësira për të konsideruar situatën reale për çdo klient.
"Këtu kam parasysh disa klientë, që mund të jenë në vështirësi të përkohshme financiare mund të ndihmohen, ose nëse kanë garanci për financimet e ardhshme, të mund të marrin një financim të përkohshëm. Pra, të moskualifikohen si klientë nënstandard, apo kredi nënstandard dhe të vazhdojnë marrjen e kredive nga sistemi bankar. Sepse mendoj se kjo e fundit është një nga arsyet se përse bankat sot nuk japin kredi", deklaroi Shehu.
Ndërsa Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho shprehet për ATSH-në, se kjo thirrje kërkon të nxisë kreditimin e ekonomisë për shkak të krizës ekonomike globale.
"Për shkak të krizës globale, sistemi bankar ka filluar të mbajë një qëndrim më të kujdesshëm në dhënien e kredive, që do të thotë se po aplikon kritere më strikte", deklaroi Spaho.
Por, thekson ai, në kushtet kur duket se ekonomia po e rimerr veten, shqetësimi i autoriteteve të ekzekutivit dhe Bankës Qendrore është të kalojnë në situatën e mëparshme të kreditimit. "Shkurt, sistemi bankar shqiptar të japë më shumë kredi dhe me interesa më të ulëta", mendon Spaho.
Sipas tij, "kjo është edhe arsyeja se pse ministri i Financave i ka kërkuar sistemit bankar të ulin normën e interesit në përputhje me politikat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë".
Duke mos qënë i bindur se një thirrje e tillë publike e ministrit të Financave do të konkretizohej nga sistemi bankar në vend, Spaho shpreson që "bankat e nivelit të dytë t'i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese, jo vetëm të ministrit të Financave, por edhe vetë biznesit dhe individëve".
Gjatë një konference të Bankës Botërore në Tiranë në 1-2 qershor, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se sistemi bankar duhet të jetë dinamik për të mbështetur dhe financuar projekte që janë me leverdi për ekonominë, por edhe rentabile e me garanci të plota të shlyerjes së detyrimeve.
"Kemi një sistem bankar likuid me fonde dhe burime të mjaftueshme për të mbështetur rritjen e shpejtë ekonomike, pasi niveli i kreditimit të ekonomisë reale nga 7 % e PBB-së që ishte në vitin 2005, shkoi në rreth 38 % e PBB-së në 2009", tha Bode. Dhe sipas tij, kjo rritje kaq e shpejtë nuk do të jetë edhe në vitet që vinë.
Ministri i Financave u shpreh se sistemi bankar ka të gjitha mundësitë për të vijuar mbështetjen e biznesit me ritme të larta, si burimi kryesor i financimit të rritjes ekonomike.
"Niveli i brendshëm i depozitave është diku më shumë se 60 % e PBB-së, ndërsa kreditimi 38 % e PBB-së, që do të thotë se mundësitë ekzistojnë për të vijuar dhe mbajtur aktiv sistemin tonë bankar në raport me rritjen ekonomike", deklaroi Bode.
Ai u shpreh se kohët e fundit, sistemi bankar edhe për shkak të problematikës në portofolet e tyre, që vjen për shkak të krizës në strategjitë e tyre kredituese, ka ulur ritmet e kreditimit ndaj ekonomisë private.
"Është e domosdodhme dhe i bëj thirrje sistemit bankar të reflektojë mbi mundësinë jo vetëm të kreditimit, por të kreditimit me norma të ulëta interesi dhe të depozitave me norma të ulëta interesi", tha Bode.
Sipas tij, "për shkak të konkurencës të tregut të brendshëm, tashmë norma e rentabilitetit po vjen duke u ulur dhe kreditimi me norma kaq të larta interesi nga sektori bankar shqiptar krijon një problem".
Sipas tij, sjellja në një akord të plotë e normave të rentabilitetit ekonomik të bizneseve privat dhe normave të interesave të kredive dhe depozitave, përbën një prioritet. Në këtë drejtim ai shtoi se sistemi bankar duhet të reflektojë mbi këtë nevojë të ekonomisë./n.m/