Ekspozita E Piktorit Pashk Përvathi, Nesër Në Gka
A
TIRANË, 8 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- 60 punime të realizuara nga piktori Pashk Përvathi, do të çelen nesër (e mërkurë) në Galerinë Kombëtarë të Arteve.
Janë punime të realizuara nga piktori në harkun kohor të tri viteve të fundit 2007- 2010, ku temë dominuese është peisazhi lirik (natyra shqiptare).
Janë imazhe nga vendlindja e artistit, Lezha, qyteti i Korçës dhe fshatrat e saj (Vithkuq, Drenovë, Boboshticë), nga bjeshkët shqiptare, nga qyteti i Beratit, Shkodra etj.
Një grup prej 10 veprash i përkasin gjinisë së portretit, ku artisti ka pikturuar tablonë e bukur me imazhin e At Zef Pllumit. Portrete e tjerë janë kryesisht figura të kompozuara, ku ai ia kushton figurave të ciganëve të qytetit të tij, ndërsa tri tablo i përkasin imazhit femëror me veshje tradicionale shqiptare.
Në ekspozitë janë paraqitur edhe 6 natyra të qeta, të cilat evidentojnë mjeshtërinë teknike dhe saktësinë e artistit në materializimin e objekteve të pikturuar.
Ekspozita shoqërohet me një katalog me ilustrime me ngjyra dhe është e treta ekspozitë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve, në grupin e 30 ekspozitave vetiake që piktori Pashk Përvathi ka çelur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo do të qëndrojë hapur nga data 9-30 qershor 2010.
Pashk Përvathi lindi në fshatin Manati të rrethit Lezhë, më 27 shkurt 1958. Në vitet 1972-'76 kreu shkollën e mesme të kulturës për mësues vizatimi. Ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale në vitet 1986-'90. Nga viti 1990-'92 punoi si përgjegjës i Galerisë së Arteve të Lezhës. Ka kryer detyrën e përgjegjësit të Kulturës së rrethit të Lezhës. Në vazhdim ka punuar në profesion të lirë si piktor. /a.ke/