English

Ekspozitë e piktorit Lin Delia në Tiranë

Tiranë, 8 qershor, NOA, Milena Selimi - Ekspozita “Rrugëtime paralele” e piktorit Lin Delia do të qëndrojë e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë deri në datën 15 qershor.

Kjo ekspozitë rindërton krijimtarinë e gjerë të Delisë, e cila është lidhur ngushtë "me ngjarjet politike të tokës së tij amtare", po edhe me jetën në të gjitha shfaqjet e saj shprehur në copëza nga Ungjilli, peizazhe, portrete dhe nature morte.

Janë mbi 50 vepra, të cilat ekspozohen për herë të parë në Shqipëri. Për Lin Delinë, piktorin e lindur në Shkodër në 1926, emigruar ne Itali prej vitit 1955, ku edhe vdiq në vitin 1994, kjo ekspozitë është e para e plotë e krijimtarisë së tij.

Për organizatorët e këtij aktiviteti, pas ngritjes së muzeut "Lin Delija - Carlo Cesi", në Antrodoko, hapja e një ekspozite pikture në Shqipëri është një etapë e rëndësishme në rrugëtimin e rivlerësimit të punëve të piktorit.

Hapja e kësaj ekspozite vjen si rrjedhojë e bashkëpunimeve të ngushta dhe shkëmbimeve të shpeshta kulturore mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.

Piktori françeskan shqiptar, Lin Delija (1926-1994), kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij në Itali, ku u detyrua të vendoset, pas arratisjes nga Shqipëria nën diktaturë.

Pas vdekjes së tij, në Androdoko, qytetin ku jetoi në Itali, u krijua një muze dhe një shoqatë me emrin e tij.

Galerisë Kombëtare në Tiranë iu dhuruan 27 vepra të tij që nuk janë ekspozuar ndonjëherë.

m.s/NOA

KOMENTE