Tiranë, 8 Qershor, NOA – Gjyqi në ngarkim të Dritan Dajtit, ndaj të cilit rëndon vrasja e katër punonjësve të policisë së shtetit vrarë gjatë aksionit për kapjen e tij në Durrës, gushtin e vitit të shkuar, është shtyrë rishtas nga gjykata e krimeve të rënda, për në datën 18 qershor.
Dritan Dajti është shfaqur në gjykatë me një karrocë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Shtyrja e seancës kundër tij, u bë me kërkesë të avokatit të Dajtit, Arben Qeleshja, i cili në pamundësi të njohjes më parë, i kërkoi gjykatës më shumë kohë për t’u njohur me provat e prokurorëve kundër Dritan Dajtit si dhe me një dëshmi që sipas tij mungon në dokumentacionin e dhënë nga prokurori i çështjes.
Kërkesa për shtyrjen e gjyqit i ka ardhur për mbarë dhe të akuzuarit Dritan Dajti, i cili ka thënë se në të vetmin takim që kish patur me avokatin nuk pati mundësi të njihej me provat, pasi iu desh ta ndërpriste për t’u paraqitur në gjykatë.
Duke e quajtur të pavend kërkesën e të akuzuarit dhe avokatit të tij, prokurori i çështjes, Eugen Beci ka reaguar duke e konsideruar të pabazë kërkesën e avokatit Qeleshja, pasi provat në ngarkim të klientit të tij i janë vënë në dispozicion qysh në muajin dhjetor, kur nisi gjykimi i çështjes.
Duke pranuar apriori afatin e kërkuar të shtyrjes së gjyqit, prokurori Beci kërkoi nga gjykata pezullimin e afateve të paraburgimit për të arrestuarit.
Kërkesa e Dritan Dajtit për ndryshimin e trupit gjykues është rrëzuar nga gjykata e krimeve të rënda.
mit/NOA