Grupi Pd-Së Dorëzon Kallëzimin Penal Ndaj Deputetit Tom Doshi
TIRANË, 8 Qershor/ATSH/.- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot në Prokurori kallëzimin penal ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, i cili akuzohet se ka kanosur për shkak të detyrës deputetin demokrat Gent Strazimiri gjatë seancës plenare në Kuvend, më 24 maj.
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, pas dorëzimit të kallëzimit në organin e akuzës tha për mediat se "veprimi i deputetit Doshi është i njohur nga publiku dhe ne presim, që këtë akt të rëndë të ndodhur në parlamentin shqiptar ta dënojë dhe ligji, ndaj sot depozituam konform rregullave proceduriale kallëzimin penal pranë prokurorisë".
Sipas deputetit Halimi, provat e paraqitura nga PD në prokurori janë një kopje audiovizive e gjithë veprimit aktiv e të kundraligjshëm të ndodhur në seancën plenare të 24 majit, ku duket qartë se si deputeti i akuzuar Tom Doshi ka kërcënuar me jetë deputetin Gent Strazimiri.
"Gjithë elementët e figurës penale të parashikuar në nenin 238 të kodit penal duken qartë e kërcënimit serioz për jetën", tha deputeti demokrat./a.s//n.m/