Gumi: Projektligji Per "Faljen", Në Përputhje Me Kushtetuten
TIRANË, 8 Qershor/ATSH/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, theksoi sot, gjatë mbledhjes së
Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, se projektligji për "Faljen" është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijoi sot diskutimet mbi projektligjin "Për Faljen", pas seancës dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë me palët e interesuara.
Relatori i këtij projektligji, deputeti Viktor Gumi, vlerësoi se projektligji i paraqitur sjell një trajtim të ndryshëm, korrekt dhe bashkëkohor të faljes sipas praktikës europiane. Ai theksoi se bashkë me amendamentet e paraqitura mund të vijohet me shqyrtimin e mëtejshëm në komision e më pas edhe në seancë plenare.
Një element i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe përcaktimi i instrumenteve kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe të faljes së dënimeve penale që përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve, duke i dhënë mundësinë atyre për integrim social. Në vijim, anëtarët e komisionit, si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca, diskutuan mbi përmbajtjen e projektligjit duke vlerësuar rëndësinë e tij përsa i përket përcaktimit të kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan në parim projektligjin./a.m/s.s./