Japoni - Naoto Kan Formon Një Qeveri Me 11 Ministra Ekzistues Nga 17 Gjithsej
TOKIO, 8 qershor /ATSH-AFP/ - Kryeministri i ri japonez Naoto Kan formoi sot një qeveri me 17 ministra dhe sekretarë shteti, 11 prej të cilëve mbajnë postet që kishin në ekipin qeveritar të deritanishëm, njoftoi zëdhënësi i ri, Yoshito Sengoku.
Kështu, krerët e ministrive kryesore mbetën të pandryshuar: Katsuya Okada në Ministrinë e Jashtme, Toshimi Kitazawa në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Seiji Maehara në Ministrinë e Transporteve.
Ministria shumë e rëndësishme e Financave, që drejtonte Kan në qeverinë e mëparshme, iu besua ish-zëvendësit të tij, Yoshihiko Noda, 52 vjeç, përkrahës i një politike të rreptë buxhetore.
Ai do të ketë detyrën e vështirë të rigjallërojë një ekonomi të dobët duke zvogëluar në të njëjtën kohë borxhin e madh publik që ka arritur pothuaj sa dyfishi i Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB. Nuk përjashtohet një rritje e taksës për konsumin, që aktualisht është 5 për qind.
/I.Pu.