English

Jo alkoolit dhe fast-food-eve gjatë ndjekjes së botërorit të futbollit

Romë, 8 Qershor, NOA – Ndjekja me orare të zgjatura të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut, nga miliarda tifozë pason edhe një fakt tjetër, të mirënjohur, dhe të paanashkalueshëm, dhjamosjen.

Dhe kur diskutohet për finalet e botërorit të futbollit, për të cilat tifozët bëhen tërë sy e veshë, nuk mjafton vetëm një ide, që të mos hash ushqime me shumë kalori, pasi në oraret e ndeshjeve askush s’e ka mendjen tek ajo se ç’farë porosit për të ngrënë.

Të fiksuar para ekranit, apo nëpër baret e ndryshme, rreziku i shtimit në peshë duke ngrënë gjëra të shpejta dhe me kalori është i lartë.

Sipas specialistëve të ushqimit në Universitetin La Piacenza të Romës, tensioni dhe përjetimi i ndeshjeve në mënyrë të organizuar është një nga arsyet që të bëjnë të ndryshosh dhe të hedhësh në erë rregullat e të ushqyerit, shpeshherë edhe me dëshirë.

Në ndeshjet e pasdites, nga ora 13.30 deri në 20.30 askush nuk do hajë pse ka uri, por pse ka tension.

Ndaj, specialistët këshillojnë që ndërmjet orareve 16.00 dhe 18.00 duhet të ndalohen rreptësisht pijet alkoolike, si dhe ato me shumë sheqer.

E mira e të mirave për të shuar etjen është të pini lëngje me bazë limoni dhe portokalli, por të tharta, aspak me sheqer.

Gjatë ndeshjeve të pasdites është e këshillueshme të konsumohet një sallatë frutash të stinës, apo thjesht fruta, pa lënë mënjanë sipas shijes një akullore me fruta të stinës, duke evituar kremrat.

Për ata që dëshirojnë të hanë diçka rreth orës 18.00, pra në fund të ndeshjes, këshillohet i dashuri për të gjithë, vakti i zemrës, gjëra të lehta, që “çukiten” si djathë me proshutë, ullinj, të shoqëruara edhe me perime të stinës, por të shoqëruara me lëngje limoni e portokalli e kurrësesi pije alkoolike.

Ndërsa në oraret e mbrëmjes, sipas specialistëve italianë të ushqimit këshillohen një pjatë makaronash, apo orizi, por edhe zarzavate të zgarës; pa lënë mënjanë sipas preferencës një racion mishi apo peshku të zgarës.

Ajo që deklarojnë specialistët e ushqimit është se është e pamohueshme që gjatë ndeshjeve të botërorit të gjithë nuk do t’i kushtojnë vëmendje të ushqyerit, pasi do të bien pre e shfrenimit pasionant që shkakton futbolli.

Këshillat bëhen edhe më të ndjeshme kur mes të rriturve adrenalina e futbollit do të bëjë të kequshqehen të rinjtë e mbi të gjitha fëmijët.

mit/NOA
KOMENTE