Kukës: Legalizimi I Ndërtimeve Pa Leje Drejt Fundit
KUKËS, 8 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Procesi i legalizmit të ndërtimeve pa leje në qarkun e Kukësit është drejt përfundimit, bëjnë të ditur burime pranë zyrës lokale të agjencisë së legalizimeve, ALUIZNI.
"Procesi është drejt përfundimit, ndërsa parashikohet të mbyllet deri në muajin korrik," thotë drejtori i zyrës rajonale të legalizimeve Zenel Kastrati.
Sipas tij, deri tani ka përfunduar procesi për mbi 400 pronarë, ndërsa mbi 300 të tjerë pritet që të shlyejnë detyrimet fiskale për ta përfunduar procesin.
"Përgjithësisht përgatitja e dokumentacionit ka përfunduar, ndërsa procesi vijon me shlyerjen e detyrimeve të personave të interesuar", thotë Kastrati.
Në qarkun e Kukësit janë 1998 ndërtime informale të evidentuara. Për shlyerjen e detyrimeve financiare vihet re një farë ngadalësimi.
"Problem mbetet shlyerja e detyrimeve fiskale nga pronarët", thotë Kastrati.
Vënia në funksion të këtij provesi i bonove të privatizimit ka rritur interesin e pronarëve për mbylljen e procesit të legalizimit brenda korrikut.
Ndërsa në zonat rurale procesi i legalizimit është në fillimet e veta, ku janë të paktë edhe specialistët edhe interesi i qytetarëve.
"Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në zonat rurale duhet të jetë një proces më vete, pasi edhe problematika është e ndryshme", thotë kryetari i këshillit të qarkut, Shefqet Bruka.
Përfundimi i procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në zonën verilidnore të vendit do të mundësojë edhe minimizimin e rrezikut të rrëshqitjes së banesave që ende vazhdohet të ndërtohen pa ndonjë studim. Gjatë 15 viteve të fundit nga buxheti I shtetit janë shpenzuar mbi 200 milion lekë për ndihmë ndaj banorëve të këtyre fshatrave të dëmtuar nga erozioni si të Kolosjanit, Lojmes e Nimcës./ch/