English

Kukës: Ndërpriten Përkohësisht Kërkimet Për 6-Vjeçaren E Zhdukur

KUKËS, 8 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Kërkimet për Bleona Matën, 6-vjeçaren e zhdukur 17 ditë më parë, nga Zapodi i Kukësit, u ndërprenë të martën përkohësisht, bënë të ditur burime nga policia. "Për ditën e sotme nuk do të kryejmë më kërkime pasi forcat janë të lodhura, ndërsa vemendjen e kemi përqëndruar në hetimin e ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e rinisjes së kërkimeve edhe në zona më të largëta nga vendngjarja", tha sot për ATSH-në nëndrejtori i Policisë së qarkut, Xhafer Elezi. "Gjatë ditës së djeshme kërkimet u përqëndruan në fshatrat përtej kufirit në Kosovë, sidomos në zonën e Kërstecit, por nuk u gjet ndonjë gjurmë të Bleonës, edhe pse në kërkime kanë marrë pjesë forca të policisë së kukësit, të Kosovës e të FSK-së", shtoi Elezi. Dje në Prizren, Kosovë, u organizua një takim me përfaqësues të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës me qëllim, shtimin e forcave policore për kërkimin e 6-vjeçares. Sipas Elezit, është ushtruar kontroll në një zonë të gjerë të kufirit mes dy vendeve deri në lartësitë afër majave të maleve, por ende nuk është gjetur ndonjë gjurmë. Ditët e fundit ka patur disa telefonata për ndonjë gjurmë të 6 vjeçares, por pas kontrolleve të ushtruara, ato kanë qenë false, gjë që ka nxitur hetimin edhe në këtë pistë, pavarësisht se nuk ka deri tani ndonjë rezultat konkret, bëjnë të ditur të njëjtat burime. "Kërkimet do të vazhdojnë në ditët e ardhshme në varësi të hetimeve," thotë Elezi. Bleona Mata rezulton e zhdukur që prej 22 majit, ndërsa për çdo person që mund të japë informacion të saktë për vendndodhjen e saj, nga Policia e Shtetit është akorduar një shpërblim prej 3 milion lekësh, duke ruajtur anonimatin. Kërkimet e hetimet në lidhje me këtë ngjarje të pazakontë janë shtrirë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni./ch/
KOMENTE