English

Lëvizja E Lirë-Topi: Nuk Mund Të Ketë Trajtim Të Diferencuar Në Ballkan

TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi sot se "nuk mund të ketë një trajtim të diferencuar për sa i përket lëvizjes së lirë të popujve të Ballkanit dhe çdo qëndrim euroskeptik lidhet me mentalitete të tejkaluara". Presidenti Topi zhvilloi sot një takim dhe më pas një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun rumun, Traian Basescu, në ambientet e Pallatit të Brigadave, në Tiranë. Në prani të dy presidentëve u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Komunikacionit dhe Informacionit të Teknologjisë, si dhe nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit midis Porteve. Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë, sipas Presidentit Topi, "është një proces natyral dhe kjo e drejtë do të jepet për shqiptarët". Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve, Presidenti Topi evidentoi ndihmën që ka dhënë Rumania në rrugën e integrimit euroatlantik të vendit tonë. "Në takimin e Bukureshtit në prill 2008, kur mori rrugë ëndrra e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në NATO, përveç miqve dhe aleatëve të tjerë të Shqipërisë, ishte dhe kontributi i Rumanisë. Vlerësoj kontributin e vazhdueshëm për t'i dhënë suport procesit të liberalizimit të vizave, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në hapësirën europiane", tha Presidenti Topi. Duke u ndalur te niveli i shkëmbimeve tregtare dhe investimeve midis të dy vendeve, Kreu i Shtetit u shpreh se "është diskutuar për përfshirjen e dy vendeve në projekte të përbashkëta, kryesisht në energjetikë, duke filluar nga Deti i Zi në Adriatik". Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin konstant të Shqipërisë për të luajtur vazhdimisht një rol moderator dhe konstruktiv në rajon. "Ne mbështesim anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në NATO dhe duam që gjithë vendet e Ballkanit të jenë pjesë e BE-së", tha Topi. "Gradualisht ne kërkojmë të shkompleksojmë marrëdhëniet politike dhe ekonomike edhe me Serbinë", vijoi Topi. "E kemi të qartë se pozicioni i Serbisë dhe Shqipërisë ndaj Kosovës është diametralisht kundër. Nuk kemi iluzion për asnjë lloj qëndrimi tjetër, por përtej këtij problemi ka mjaft elementë ku mund të bashkëpunojmë mbi bazën e respektit reciprok", tha Presidenti Topi. /s.s./
KOMENTE