Meta: Kriza Politike Të Zgjidhet Nëpërmjet Dialogut Dhe Hapësirave Ligjore
TIRANE, 8 Qershor /ATSH- A.Gegvataj/ - "Zgjidhja e krizes politike në vënd duhet të bëhet me dialog dhe mirëkuptim, duke respektuar transparencën dhe Kushtetutën", deklaroi zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, sonte në mbrëmje gjatë një emisioni televiziv.
Meta deklaroi se për kapërcimin e kësaj situate vazhdimisht ka kontakte edhe në nivel ekspertësh dhe ekzistojnë të gjitha instrumentat për t'u dhënë zgjidhje pretendimeve të lidershipit të Partisë Socialiste.
"E kam bërë të qartë që duhet dialog dhe kam bërë të qartë se midis transparencës dhe respektimit të Kushtetutës është një hapësirë e mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje", tha Meta, duke sqaruar se absolutisht nuk "kam marrë përsipër negociata për zgjidhjen e krizës".
Ai theksoi se kjo nuk është çështje detajesh, por vullneti politik për të zgjidhur këtë situate.
"Unë e konsideroj absurde nga fillimi i saj, e cila nuk ka të bëjë thjesht me detaje, por me një strategji, e cila ka për qëllim që të mbajë vëndin në një tension të panevojshëm dhe për një çështje, e cila është e mbyllur edhe në raportin e OSBE-ODIHR", tha zv/kryeministri Meta.
Sipas tij, kjo situatë nuk është e mirë as për rastin e procesit të liberalizmit të vizave, as për vetë statusin e vëndit kandidat që është proces më konkret./s.s./