Tiranë, 8 qershor, NOA - Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin për ndihmë ekonomike të familjeve të personave të rënë në detyrë.
Projektligji “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, u miratua në mënyrë unanime edhe nga përfaqësuesit e opozitës në Komision.
Në diskutimet e tyre, anëtarët e komisionit, si të mazhorancës dhe të opozitës e mbështetën projektligjin e paraqitur, si një përpjekje serioze për t’u dhënë dinjitet atyre që kanë rënë në krye të detyrës dhe familjarëve të tyre.
Pas shqyrtimit nen për nen, Komisioni ra dakord për kalimin e projektligjit për miratim në seancë plenare.
Projektligji përcakton në mënyrë të saktë ndihmën dhe trajtimin e familjeve të personave që janë pjesë e strukturave të mësipërme, të cilët humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës.
Familjarë të shtetasve, të cilët humbin jetën në rrethana të caktuara që lidhen me situata emergjente në veprimtarinë e këtyre strukturave, trajtohen në mënyrë të ngjashme sipas dispozitave të parashikuara në projektligjin në fjalë.
Projektligji jep një përcaktim të qartë të pensionit, pensionit suplementar dhe shpërblimit të menjëhershëm të familjarëve të punonjësve që humbin jetën në detyrë.
Parashikohet ndërprerja e skemës aktuale të sigurimeve shoqërore për pensionet dhe hyrjen në fuqi të skemës së re, e cila do të përfshijë edhe familjarët e personave që kanë humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij projektligji.
Kështu, garantohen me ligj të drejtat financiare dhe indeksimi në përputhje me skemën e re.
Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, trajtim preferencial për kredi strehimi nga Enti i Kombëtar i Banesave sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara.
Në rastet e plagosjes në krye apo për shkak të detyrës, projektligji parashikon trajtim ekonomik dhe financiar, kompensim për dëmtimet trupore dhe shpenzimet për rehabilitim shëndetësor.
m.xh/NOA