English

Përfaqësimi Gjinor Në Punë, 53% E Grave Inaktive Ekonomikisht

TIRANE, 8 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/.- Gratë përbëjnë 53% të popullsisë inaktive ekonomikisht, ç'ka do të thotë se nga 100 gra aktive ekonomikisht, 53 prej tyre janë inaktive, tregues ky dy herë më i ulët ose të paktën 31% në rastin e burrave. "Këto shifra tregojnë qartë se gratë paraqesin nivele më të larta papunësie krahasuar me burrat", tha sot drejtuesja e Drejtorisë per Politika për Shanse të Barbarta në Ministrinë e Punës, Alma Marku, gjatë mbledhjes së rradhës Këshillit Kombëtar të Punës (KKP). Në këtë mbledhje, ku zakonisht marrin pjesë në cilësinë e anëtarit shtatë ministra të Kabinetit Qeveritar, dhjetë përfaqësues të punëdhënësve dhe dhjetë përfaqësues të punëmarrësve, u diskutua situata e përfaqësimit gjinor në marrëdhient e punës. Duke iu referuar INSTAT-it, "se niveli i punësimit për vitin 2008 paraqitet 63.0% për burrat dhe 45.6% për gratë", Marku, tha se niveli i papunësisë në rang kombëtar deri vitin e kaluar ishte 13.1%, ku burrat dhe gratë përbënin përkatësisht 12.2% dhe 14.4% të të punësuarëve. Por, sipas saj, këto shifra të ulta të punësimit të grave nuk tregojnë realitetin në lidhje me angazhimet e tyre në punë, pasi në këto shifra nuk pasqyrohet roli riprodhues që ato luajnë në familje, aktivitete të domosdoshme për vazhdimësinë e jetës dhe që cilësohet si punë e papaguar. Pjesëmarrësit e mbledhjes së KKP-së, pasi vlerësuan Ligjin për Barazi Gjinore, i miratuar në vitin 2008, që synon mbrojtjen e qytetarëve nga çdo lloj diskriminimi me bazë gjinore, diskutuan disa rekomandime që konsistonin në thellimin e politikave për mundësi të barabarta. Rëndësi iu dha nevojës për ndërhyrje në legjislacionin e punës, Kodin e Punës dhe legjislacionin e Sigurimeve Shoqërore, për një kombinim të përgjegjësive familjare me pjesëmarrjen në punë. U diskutua që të parashikohen orare fleksibël pune për punonjësit me përgjegjësi familjare dhe të njihet leja prindërore edhe për baballarët./e.gj//a.ke/
KOMENTE