Përmbledhje - Japoni - Naoto Kan Merr Pushtetin Duke Premtuar Ta Bëjë Vendin Më Të Fuqishëm
TOKIO, 8 qershor /ATSH-AFP/ - Kryeministri i ri japonez, Naoto Kan, mori sot zyrtarisht detyrën duke premtuar ta bëjë Japoninë "më të fuqishme", të shëndoshë financat publike dhe të rivendosë aleancën me Shtetet e Bashuara në qendër të diplomacisë japoneze.
Kryeministri i pestë brenda katër vjetëve, Kan, 63 vjeç, paraqiti qeverinë e tij të përbërë nga 17 ministra dhe sekretarë shteti, 11 prej të cilëve mbanin postet që kishin në ekipin e deritanishëm qeveritar të kryeministrit Yukio Hatoyama.
Ky i fundit, i zgjedhur triumfalisht verën e kaluar përballë konservatorëve në pushtet që prej më tepër se 50 vjetësh, nuk i mbajti premtimet dhe e zhgënjeu besimin që i kishin dhënë japonezët brenda një periudhe prej tetë muaj e gjysmë.
Në fjalimin e parë pas marrjes zyrtare të detyrës së kryeministrit, Kan theksoi se që prej rënies së bursave dhe sektorit imobiliar në fillim të viteve '90, "përshtypja e mbytjes u përforcua" në shoqërinë japoneze, me më tepër se 30 000 vetëvrasje çdo vit.
"Do ta rindërtoj Japoninë që nga themelet dhe ta bëjë atë një vend më të fuqishëm", premtoi ai.
Kryeministri do të mbështetet për këtë në një ekip pothuaj të njëjtë me atë të pararendësit të tij.
Krerët e ministrive kryesore kanë mbetur të njëjtë: Katsuya Okada në Ministrinë e Jashtme, Toshimi Kitazawa në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Seiji Maehara në Ministrinë e Transporteve.
Ministria kryesore e Financave, që drejtohej nga Kan në qeverinë e deritanishme, iu besua zëvendësit të tij, Yoshihiko Noda, 52 vjeç, përkrahës i politikës së rreptë buxhetore. Ai do të ketë detyrën e vështirë të rigjallërimit të një ekonomie të dobësuar duke zovëguar në të njëjtën kohë borxhin e madh publik që ka arritur pothuaj sa dyfishi i PBB-së. Nuk përjashtohet një rritje e taksës për konsumin.
Ai theksoi se shëndoshja e financave publike është "një kusht për rritjen ekonomike të Japonisë, pasi ajo ka një borxh publik që përbën rreth 200 për qind të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto, PBB".
Buxheti i shtetit është krejtësisht i çekuilibruar, pasi pothuaj gjysma e tij mbështetet në emetime masive të obligacioneve shtetërore që prej disa vitesh.
"Gjatë 20 viteve të fundit, nuk kemi qenë në gjendje të rrisim takasat dhe si pasojë borxhet tona u shtuan shumë", theksoi ky ish-militant i të majtës i cili është bërë përkrahës i politikës së rreptë buxhetore.
Ai u shpreh se reforma fiskale është "detyra më e rëndësishme që duhet të kryejë vendi".
Edhe pse borxhi japonez mbetet kryesisht brenda vendit, organizmat ndërkombëtarë mendojnë se bëhet fjalë për një bombë ekonomike me shpërthim të vonuar.
Në planin diplomatik, Kan kërkon të rivendosë lidhjet me Shtetet e Bashkuara aleati kryesor i Japonisë, pas dështimit të pësuar në zhvendosjen e një baze ushtarake në ishullin Okinava, në jug.
Për sa i takon mosmarrëveshjes së fundit me Uashingtonin lidhur me zhvendosjen e një baze ushtarake, Kan e konsideron këtë çështje si të zgjidhur dhe shprehet për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga qeveria e mëparshme e Yukio Hatoyamas në aleancën strategjike mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.
"Mendoj se duhet ndjekur me vendosmëri parimi sipas të cilit aleanca Japoni-Shtetet e Bashkuara është guri i themelit të diplomacisë japoneze", deklaroi ai.
"Japonia dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje për zhvendosjen e bazës ajrore Funtenma në ishullin Okinawa, në jug, njoftoi ai.
"Duhet të punojmë mbi këtë bazë, por, do të bëj më të mirën e mundshme për të lehtësuar peshën e banorëve të Okinawas", shtoi ai.
Hatoyama e ka acaruar administratën amerikane duke vënë në dyshim një marrëveshje të arritur në vitin 2006 që parashikon transferimin e Funtenmas në një gji të mbrojtur të Okinavës.
Pasi ka premtuar tërheqjen e bazës nga ishulli, siç kërkojnë banorët, ai është detyruar të pranojë dështimin dhe më tej të japë dorëheqjen.
Ish-militant i të majtës, i dalë nga një familje modeste ndryshe nga "trashëgimtarët" e dinastive politike përpara tij, Kan premtoi ta bëjë PDJ-në një parti "të pastër", larg klientelizmit dhe shpërdorimeve financiare që e larguan Japoninë nga Politika.
/I.Pu.