Durrës, 8 Qershor, NOA – Dy të rinj janë paraqitur në Spitalin e Durrësit gjatë orëve të vona të natës së sotme, të plagosur me thika.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Durrësit, sipas të cilave dy të lënduarit janë me inicialet N.H. dhe E.M, përkatësisht 21 dhe 19 vjeç, që të dy banorë të qytetit bregdetar.
Nga kryerja e veprimeve të para hetimore lidhur me rastin në fjalë rezulton se autor i dyshuar i ngjarjes është Elton Sina, 22 vjeç, lindur në Shijak e banues në Durrës.
Po kështu, rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, tek pika e hekurit në afërsi të qendrës tregëtare “Galaktik” në Durrës.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, i plagosuri me inicialet E.M. është larguar për në banesë, ndërsa ai me inicialet N.H. ndodhet ende i shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Është bërë shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes dhe po punohet për kapjen e tij, ndërsa materialet proceduriale për veprën penale të vrasjes së cilësuar të mbetur në tentativë, iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA