English

Presidenti Basesku: Parlamenti, Element Thelbësor I Politikës Ndërkombëtare

TIRANE, 8 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku, vlerësoi sot, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, rolin e parlamentit si një element thelbësor i politikës ndërkombëtare. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Presidenti rumun theksoi në këtë takim se "janë kohëra ku parlamenti ka marrë një rol thelbësor në vendimarrjen jo vetëm kombëtare, por edhe atë europiane, si një faktor kyç dhe element thelbësor i politikës ndërkombëtare". Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e Rumanisë, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, si një partner i rëndësishëm i Shqipërisë. Ajo tha se "Kuvendi në këto muaj ka bërë një punë të madhe, janë miratuar mbi 170 ligje, që kanë bërë të mundur arritjen e vendimit të 27 Majit për heqjen e vizave". Kryetarja e Kuvendit shprehu keqardhjen që "opozita nuk u bashkua me maxhorancën në axhendën integruese të Kuvendit". Ajo vuri në dukje se rekomandimi për heqjen e vizave erdhi si rezultat i zgjedhjeve më të mira e transparente, i reformave të guximshme e të thella, duke theksuar se askush, "për interesa personale nuk do të mund të bllokojë as heqjen e vizave dhe as rrugën e Shqipërisë drejt BE-së". Ndërkohë, Kryetarja Topalli shprehu shpresën se "opozita do të bëhet pjesë bashkëpunuese dhe jo penguese e përpjekjeve tona integruese". Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe Kryetarja Topalli dhe Presidenti Basesku ndanë mendimin se, përmes diplomacisë parlamentare këto marrëdhënie mund të nxiten më tej./s.s./
KOMENTE