English

Presidenti Topi Ngushëllon Familjen E Poetit Ndoc Gjetja

TIRANË, 8 Qershor/ ATSH/- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar sot një mesazh familjes së poetit të njohur Ndoc Gjetja , i cili ndërroi jetë dje në moshën 66 vjeçare. "Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen e parakohshme të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm, të poetit të shquar Ndoc Gjetja", shprehet Presidenti Topi në mesazhin e ngushëllimit. Sipas tij, "mjeshtri i fjalës poetike, i ndjenjave të epërme njerëzore, i dashurisë dhe dhimbjes, do të mbetet përjetësisht i nderuar në panteonin e kulturës shqiptare, do të frymëzojë brezat e ardhshëm të poetëve shqiptarë e do t'i ushqejë me dashurinë për fjalën e vërtetë e të bukur shqipe". Kreu i shtetit, Bamir Topi, vlerësoi se "të gjithë lexuesit shqiptarë dhe admiruesit e poezisë së tij do t'i mbeten përjetësisht mirënjohës Ndoc Gjetjes për shpirtin, talentin, thjeshtësinë, fuqinë e mendimit e modelin njerëzor që ofroi në përballimin e sfidave të jetës". Poeti Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjec, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Ai ka shkruar veprat "Rrezatim", "Shqiponja rreh krahët", "Qëndresa", "E përditshme", "Çaste", "Kthimet", "Dhjata ime", "Biri i njeriut". Ka qenë 13 vjet kryeredaktor i revistës "Skena", mbyllja e së cilës e nxori të papunë dhe shënoi shtegtimin nga Tirana drejt Lezhës në vitin 1995 ku jetoi deri në fund të jetës./s.d//a.ke/
KOMENTE