English

Profil/Çipi: Futbolli, Si Një Ëndërr

VLORË, 8 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Kreshnik Çipi, ish lojtari i shquar i Flamurtarit dhe përfaqësueses së Shqipërisë, aktualisht deputet i PD-së për qarkun e Vlorës, nuk rresht për asnjë çast së treguari për dashurinë dhe pasionin e tij të madh, futbollin, të cilit i ka kushtuar rininë e tij, periudhën më të bukur të jetës. Por, kur flet për politikën, në të cilën ai ka hyrë tashmë në mënyrë aktive, Çipi herë herë gjen pikat e përbashkëta mes tyre, të cilat ai i evidenton bukur dhe me qartësi. Kreshnik Çipi e ka idhull qytetin e tij. Për të, Vlora është kryefjala e çdo bisede, është objekt i çdo synimi, është ëndrra që ai kërkon ta bëjë realitet. Dikur, pasioni i tij ishin mësimet. Zgjuarsia dhe intelekti i tij spikasnin në të gjitha nivelet e arsimimit, ndërkohë që, në shkollën e mesme të përgjithshme "Ali Demi", që ai e përfundoi në vitin 1976, ishte mes nxënësve më të mirë. E përfundoi atë me vetëm dy 9-ta, duke spikatur me formatin e një të riu inteligjent e qytetar, trashëgimtar i vlerave më të mira të familjes nga e cila vinte. Për Çipin gjimnazist, arsimimi ishte baza e një të riu që synonte të ecte në jetë. Prandaj dhe përkushtimi i tij, i kalonte të gjitha caqet. Por, bashkë me këtë dashuri të madhe, brenda tij, nisi të lindte dhe të zhvillohej edhe një pasion tjetër: futbolli. Ky sport për të, nuk ishte thjesht mundësia për të thyer pengesat që krijonte në rrugën e tij "biografia" e familjes. Ai ishte shumë më tepër se kaq. Ishte një ëndërr që kishte lindur dhe duhej të realizohej. Prandaj dhe ju përkushtua futbollit, ashtu si edhe mësimit. Duke mos lënë asnjë mangësi për secilën, por duke i parë si plotësuese të njera tjetrës. Dhe frytet do të vinin shumë shpejt. Vetëm 16 vjeç, ai do të zinte një vend në skuadrën e parë të Flamurtarit, ndërkohë që, një vit më pas, do të ishte pjesë e formacionit të përhershëm të këtij ekipi të famshëm. 22 vjeç, do të vishte fanelën e ekipit përfaqësues dhe në vitin 1980, do të zhvillonte takimin e tij të parë ndërkombëtar me kombëtaren e Shqipërisë, në Bullgari. Po në të njëjtin vit, Çipi do të përfshihej në radhët e skuadrës së Dinamos, për të zhvilluar, siç thotë, një nga lojrat e veta më të mirA, kundër Ajaksit të famshëm, të atyre viteve, duke u prezantuar denjësisht. Por, për Çipin, mbetet i paharruar "Flamurtari", skuadra e madhe e viteve '80-të të shekullit të kaluar, që krijoi emër në skenën e futbollit evropian. Skuadra vlonjate e viteve 1985-1991, mbetet për të, e paarritshmja për asnjë tjetër ekip shqiptar në të gjitha kohërat. Jo vetëm për rezultatet që arriti, duke u kualifikuar për në turin e tretë të Kupës UEFA, si asnjë tjetër skuadër shqiptare në histori, por për profilin që krijoi, për kompaktësinë, për nivelin, për kolektivitetin, për gjithçka tjetër të bukur që shfaqi. Janari i vitit 1976, kur ai veshi fanelën e të njohurit futbollist vlonjat, Beniamin Nelaj dhe 22 maji i vitit 1992, kur zhvillonte takimin e fundit, me përfaqësuesen në Spanjë, segmentojnë periudhën më intensive dhe të paharruar në jetën e Çipit, atë që do të linte vulën e vet të pashlyeshme në natyrën dhe karakterin e tij, që do ta bënte atë një njeri të dashur dhe të respektuar për të gjithë vlonjatët dhe opinionin shqiptar. Çipi me numri "3" në fanelën e tij, mbetet edhe sot, i pashlyer në kujtesën e sportdashësve për elegancën dhe seriozitetin në lojë, për atë staturë që reflektonte në fushën e blertë, duke i detyruar të gjithë kundërshtarët ta respektonin. Mbrojtësi me numrin 3, kapiteni i "Flamurtarit", dinte ta udhëhiqte skuadrën e vet dhe ta drejtonte në aureolën e trofeve futbollistike. Për të, kjo periudhë mbetet më e mira, më e spikatura, më e ndjeshmja. Aq sa edhe sot kur flet për të, reflekton jo rrallë nuancat e një patetizmi. Për të, emri që krijoi në atë periudhë, aq sa edhe ai i ekonomistit dhe intelektualit, përbëjnë vlerat më të mëdha për jetën e tij dhe të familjes. Kreshniku është sot 52 vjeç, por e ruan ende të freskët grintën e spikatur të sportistit. Në fytyrën e tij është e pranishme përherë një buzëqeshje, duke i dhënë fizionomisë së tij, një ngjyrim tërheqës. Gjatë këtyre viteve, jeta e tij ka qenë tepër intensive. Pavarësisht nga pozicioni i tij i dikurshëm, Çipi ishte një mbrojtës modern që synonte përherë sulmin. "Së bashku me Tahon, kemi bërë një revolucion të vërtetë, atë që e shihje vetëm në ekipe të mëdha evropiane, ne kemi luajtur paralel, duke aplikuar një skemë që nuk njihej atëhere në Shqipëri dhe falë aftësive tona arrinim ta realizonim me sukses, duke mbështetur sulmin", thotë ai. Të njëjtën gjë po bën edhe në politikë, sepse siç shprehet, "është e domosdoshme të ecim përpara". Kreshnik Çipi, ish futbollisti i shquar, beson dhe është i bindur se skuadra e tij fituese në politikë, po bën gjërat më të mira dhe qytetare për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. /ch/
KOMENTE