Profil: Kostika, 60-Vjeçari Që Bashkëjeton Me Detin
DURRËS, 8 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Kostika Luarasi nga Durrësi prej më shumë se 10 vitesh bashkëjeton me detin.
60-vjeçari me trup djaloshar nuk mungon asnjë herë në takimin e përditshëm me masën e paanë të ujit, te ura prej betoni pranë Currilave, baza e tij prej shumë vitesh.
"Deti tani është jeta ime," thotë për ATSH-në Kostika, baba i katër fëmijëve të rritur.
Mesdita ka kaluar që prej dy orësh dhe kostumi i zi prej gome i Kostikës duket mbi shkëmbinjtë e Currilave, më shumë se 200 metra larg bregut.
"Ndonjëherë bëhemi merak për të," thotë Shaba, që peshkon pranë bregut me një barkë të vogël pedalo.
Ndërsa pastron rrjetat ai më tregon se Kostika ka punuar gjithë jetën si shofer, por nga fundi i viteve 1990 pasioni i vjetër për detin iu bë profesion i dytë.
"Tani ai rri 5-6 orë pa dalë nga uji dhe ne bëhemi merak," përsërit Shaba.
Kur, ja, duket maska dhe tubi i zhytësit mbi ujë, e pastaj pushka pneumatike dhe pajimet e tjera të tij.
Më 10 korrik Kostika Luarasi do të jetë 60 vjeç.
"Me siguri që këtu do ta festoj. Më njohin kaq shumë njerëz: disa kanë kuriozitet vetëm të shohin pajimet, të tjerë duan të blejnë peshkun e freskët që unë kap," thotë më pas ai.
Dhe nën ujë nuk është kaq e lehtë. Duke mbajtur frymën, 60-vjeçarit i duhet të zhytet shumë shpesh në ndjekje të levrekëve apo kocave, të cilat sapo e ndjejnë rrezikun fshihen mes shkëmbinjve apo battllave prej algash dhe leshteriku.
"Aty ia zë pusinë, ndonjë herë rri me orë të tëra dhe pastaj, kur mendoj se do të dorëzohen, hyj edhe unë në zgavrat e shkëmbinjve dhe luftoj me ta," tregon ai, ndërsa sytë e picërruar nga uji i kripur i qeshin ndën vetulla.
Emrat e peshqve që përmend Kostika ia kalojnë enciklopedive të faunës detare.
"Ja, ky këtu është mellanur," thotë ndërsa kap nga bishti një peshk që përpëlitet ende në ajër. "Kurse koha e kerrave të mëdhenj 12-13-kilësh ka përfunduar, që kur i dëmtuan me dinamit të fundin e viteve 1990."
Këto ditë Kostika ka nxjerrë nga shkëmbinjtë mjaft guacka e koca.
"Janë të shijshme," thotë dhe nuk përton tua mësojë hollësisht blerësve se si gatuhen ato, nga uji i vluar deri te mendërza dhe jeshillëqet e tjera.
Ende pa dalë nga uji blerësit e peshkut të freskët janë afruar dhe pazari nuk zgjat më shumë se 5 minuta.
Të gjithë e dinë se çfarë blejnë. Peshku që ai zë është më shumë se i freskët: është ende i gjallë.
Në tavolinën e parë të lokalit ngjitur me bregun peshkatari Kostika Luarasi merr një gotë verë të bardhë dhe shijon pasditen. Ndoshta mendon kohën e shkuar kur i duhej të ngiste automjetin e tij të shërbimeve komunale në rrugët e Durrësit.
"Ndjehem i qetë," më beson sekretin e tij. "Kur lohem në mëngjes e di që do të takohem me detin dhe me një tufë miq të tjerë që si puna ime e duan shumë atë."/ch/