Rumania, E Interesuar Që Shqipëria Të Anëtarësohet Sa Më Shpejt Në Familjen Europiane
TIRANE, 8 Qershor/ATSH/ - Rumania, një nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ka një interes të madh që Shqipëria dhe vendet e tjera aspiruese të Ballkanit Perëndimor të bëhen sa më shpejt pjesë e familjes europiane.
Interesin e Rumanisë në këtë drejtim e konfirmoi të martën në Tiranë Presidenti rumun, Trajan Basesku, në një takim të veçantë me Kryeministrin Sali Berisha.
Presidenti Basesku, i cili nisi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, theksoi në takimin me Kryeministrin Berisha mbështetjen e plotë të Rumanisë për të gjitha hapat e mëtejshme të integrimit të Shqipërisë në BE dhe proceset e tjera të lidhura me të, siç është heqja e vizave për shqiptarët, brenda këtij viti; bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit.
Z. Berisha i shprehu mirënjohjen Presidentit Basesku për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Rumania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë të veçantë për anëtarësimin në NATO dhe për ecjen përpara me shpejtësi në të gjitha hapat drejt integrimit evropian dhe proceset e lidhura me të.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve si dhe miqësia tradicionale mes të dy popujve, e shprehur edhe me mbështetjen që populli rumun i dha komunitetit të shqiptarëve të Bukureshtit, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar në fillimet e shekullit të kaluar.
Berisha e njohu Presidentin rumun me reformat politike, ekonomike dhe institucionale dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në potencialet e jashtëzakonshme që vendi ofron për investitorët rumunë në sektorë, si energji e rinovueshme, turizëm, industri minerare.
Ndër të tjera, në takim u vlerësua fakti që, në sajë të këtyre reformave, ekonomia shqiptare i rezistoi me sukses krizës globale dhe Shqipëria nuk përjetoi recensionin si vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë, por ekonomia shqiptare vijoi të rritet edhe në vitin 2009 me rreth 4 %. Kryeministri theksoi se dhe në 5 muajt e parë të këtij viti kanë vazhduar ritmet pozitive të zhvillimit ekonomik, e evidentuar qartësisht në shumë fusha, si p.sh me dyfishimin e eksporteve, apo ecuria shumë e mirë e bankave shqiptare përsa i përket gjendjes se likuiditetit etj.
Në këtë kontekst, u rikonfirmua vendosmëria e të dy vendeve për të nxitur investimet e ndërsjella, si dhe për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat./s.s./