English

SHBA: Policia, ndër institucionet më të besueshme në Kosovë

Prishtinë, 8 qershor, NOA – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, priti sot në një takim zv/shefin e ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Michael Murphy, duke e informuar për reformat e institucionit të tij, duke filluar prej metodologjisë për parandalimin e kriminalitetit deri te struktura e re organizative tashmë miratuar.

“Ne kemi filluar me reforma në organizatën tonë, me metodologjinë e re të punës në funksion të parandalimit të krimit që është fuqizim i policisë në komunitet dhe nënkupton që zyrtarët policorë të jenë më afër qytetarit. Sikundër kemi miratuar strukturën e re organizative dhe së shpejti pritet të kemi edhe bazën e të dhënave të integruar që do të mundësojë bashkëpunim edhe më të mirë me prokurorinë, gjyqësinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit”, - theksoi ndër të tjera Selimi.

Sipas tij, prioritet për Policinë e Kosovës do të jetë sundimi i ligjit, fakt që u përkrah edhe nga numri dy i ambasadës së SHBA në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur Kosovën dhe institucionet e saj për vite dhe ne përkrahim fuqishëm edhe sundimin e ligjit. Qeveria ime përkrahë vendimet tuaja lidhur me strukturën organizative të Policisë së Kosovës dhe mirëpret përkushtimin tuaj ndaj kryerjes së punës së policisë të bazuar në komunitet”, theksoi. Murphy, dhe shtoi se “të dyja këto do ta përparojnë sundimin e ligjit në Kosovë”.

n.e/NOA

KOMENTE