Shëndetësi-Zbatimi I Sistemit Të Referimit Ka Ndikuar Në Rritjen E Vizitave Tek Mjeku I Familjes
TIRANË, 8 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Zbatimi i sistemit të referimit, i kërkuar me forcë nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, disa muaj më parë, duket se ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të frekuentimit të mjekut të familjes, që do të thotë kthim i besimit të pacientit tek ai.
Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, tha sot për ATSH-në se vitin e kaluar u kryen rreth 5 milionë vizita në kujdesin shëndetësor parësor pranë mjekut të familjes, apo atij të përgjithshëm.
Qendrat shëndetësore, bazuar në të dhënat, u frekuentuan më shumë nga të sëmurët kronikë. "Ka rritje të numrit të trajtimit të sëmundshmërisë kronike tek mjeku i familjes për vitin e kaluar në 33 % të rasteve, gjë që tregon që po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga mjeku i familjes", tha Hana, sipas së cilës, kjo tregon kthim të besimit të qytetarëve tek mjeku i familjes.
Por, zbatimi me rigorozitet i sistemit të referimit ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të librezave të shëndetit. Sipas Hanës, vetëm në 3-4 muajt e fundit, është trefishuar numri i librezave të reja shëndetësore, kohë kjo mjaft e shkurtër për një rritje të tillë. "Kjo tregon për një interes të personave për të marrë pjesë në skemën e sigurimeve. Nga ana tjetër, po të shikojmë trendet e sigurimeve suplementare dhe ato vijnë në rritje", vijon Hana.
Gjatë vitit 2009 qendrat shëndetësore janë finacuar në masën 24 % më shumë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa një pjesë e tyre kanë përfituar mbi 60 % të bonusit gjatë 2009./s.s./