Shënim/Kukes: Gjithë Vendi I Interesuar Për 6-Vjecaren E Humbur, Bleona Mata
KUKËS, 8 Qershor/ATSH-R.Hoxha/ - Edhe pse kanë kaluar 17 ditë nga zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata nga fshati Zapod i Kukësit dhe kërkimet ende nuk kanë rezultuar në asnjë gjurmë, solidariteti njerëzor është shtuar.
Kërkimet filluan më 22 maj, kur u bë dhe kallëzimi nga familjarët për humbjen e vajzës. Në fillim policia dhe banorët kërkuan gjithë zonën, pastaj forcat e policisë u shtuan dhe kërkimet u zgjeruan edhe në Kosovë dhe Maqedoni, meqenëse Zapodi është një fshat kufitar.
Policia ka vendosur një shpërblim 3 milionë lekë për personin që do të japë informacion të saktë, duke iu ruajtur anonimiteti, por deri tani ka patur vetëm disa telefonat që kanë rezultuar me informacion jo të vlefshëm.
Policia arrestoi edhe një person në lidhje me ngjarjen, por më pas ai u akuzua vetëm për dhënie dëshmi të rreme.
"Megjithë kërkimet e kryera nuk është gjetur ndonjë gjurmë apo ndonjë shkak i zhdukjes së 6 vjeçares", thotë nëndrejtori i policisë së qarkut, Xhafer Elezi.
Zhdukja e Bleona Matës është rasti i parë i ngjarje të tillë në atë zonë, por, siç rezulton nga kërkimet dhe hetimet, një rast shumë i vështirë për t'u zgjidhur.
Përveç policisë dhe institucioneve të tjera të qarkut, interesi i komunitetit për humbjen e vajzës ka qenë madh. Njerëzit shkojnë vizita, ose dërgojnë mesazhe të vazhdueshme te familja në këto ditë fatkeqësie.
"Gjatë këtyre ditëve kemi patur mesazhe nga shumë qytetarë nga qytete të ndryshme, që na kanë dhënë gajret", thotë Zenel Mata, gjyshi i Bleonës.
"Jo vetëm nga persona me pushtet e drejtues të policisë, por edhe nga njerëz të thjeshtë", thotë ai.
Vizitorët, në disa raste, kanë qenë edhe njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me familjen, veç solidaritetit njerëzor.
Një ditë më parë në shtëpinë e Zenelit ishin për vizitë një person nga Durrësi, të cilit gjyshi i pikëlluar i di vetëm emrin.
"Nuk kam ndonjë lidhje me të, bile edhe emrin ia mësova rastësisht, vetëm se kishte mësuar çfarë na ka ndodhur dhe erdhi të na ndodhej pranë. E falenderojmë atë dhe shumë të tjerë që na kanë çuar mesazhe", thotë Zeneli./ch/