English

Shqipëria Dhe Rumania Angazhohen Të Rrisin Bashkëpunimin Ekonomik

TIRANE, 8 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Shqipëria dhe Rumania, një nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, shprehën vendosmërinë për të nxitur investimet e ndërsjella, si dhe për të zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat e konkretisht atë ekonomik. Këtë fakt e konfirmuan të martën në Tiranë Kryeministri Sali Berisha si dhe Presidenti rumun, Trajan Basesku, gjatë një takimi të përbashkët. Edhe pse në vitin 2009 shkëmbimet tregtare nuk kanë shënuar një volum të madh në totalin e import-eksporteve, të dy vendet u shprehën për rritjen e bashkëpunimit. Në vitin 2009 vëllimi i importeve nga Rumania arriti në 28.786 ton mallra, të konvertuara në vlerë rezultojnë 3.477 milionë lekë. Ndërkohë volumi i eksporteve shqiptare drejt Rumanisë rezultoi 1.541 ton në vitin 2009, duke zënë kështu vetëm 0.2 % të totalit të ekporteve gjithsej, ndërsa në vlerë, eksportet shqiptare drejt Rumanisë në vitin 2008 llogariten 431 milionë lekë, ose 0.5 % e volumit të eksporteve. Kryeministri Berisha, në takimin e sotëm e njohu Presidentin rumun me reformat politike, ekonomike dhe institucionale dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në potencialet e jashtëzakonshme që vendi ofron për investitorët rumunë në sektorë, si energji e rinovueshme, turizëm, industri minerare. Ndër të tjera, në takim u vlerësua fakti që, në sajë të këtyre reformave, ekonomia shqiptare i rezistoi me sukses krizës globale dhe Shqipëria nuk përjetoi recensionin si vendet e tjera të Evropës dhe më gjerë, por ekonomia shqiptare vijoi të rritet edhe në vitin 2009 me rreth 4 %. Kryeministri theksoi se dhe në 5 muajt e parë të këtij viti kanë vazhduar ritmet pozitive të zhvillimit ekonomik, e evidentuar qartësisht në shumë fusha, si p.sh me dyfishimin e eksporteve, apo ecuria shumë e mirë e bankave shqiptare përsa i përket gjendjes se likuiditetit etj. /s.s./
KOMENTE