English

Siguria Në Vendin E Punës- Gjobiten 201 Subjekte

TIRANE, 8 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/.- Rreth 201 subjekte janë gjobitur këtë vit me gjoba me vlerë rreth 25 milionë lekë për shkelje të normave në drejtim të sigurisë në punë për punonjësit. Drejtuesja e Inspektoriatit Shtetëror të Punës (ISHP), Vikrita Çuto, tha në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës (KKP) se shëndeti dhe siguria në punë luan një rol jetik në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit në ndërmarrje dhe kontribuon në sistemet e mbrojtjes sociale, sepse rezulton në reduktim kostosh për aksidentet dhe sëmundjet në punë dhe rrit motivimin e punonjësve. "Ligji i sapomiratuar i Sigurisë dhe Shëndetit në punë po hedh themelet e këtij ndryshim", tha Çuto, sipas të cilës këtë vit është rritur numri i inspektimeve të subjekteve në masën 27% dhe numri i mjekëve të ndërmarrjes me 30%. Sipas Çutos, është bërë progres nga ISHP në drejtim të forcimit të kontrollit për sigurinë e shëndetin në punë, ndër të cilat ajo veçoi rritjen e numrit të inspektimeve në vitin 2009 krahasuar me 2008 me 1 304 më shumë, nga të cilat 3 herë më shumë inspektime në subjekte që paraqesin rrezikshmëri të lartë për punëmarrësit si: karriera, gaz, elektricitet etj. Paralelisht është rritur edhe ndërgjegjësimi i sipërmarrjes dhe kjo reflektohet edhe rritjen në masën 30%, vetëm në 3 mujorin e parë të vitit 2010, të numrit të mjekëve të ndërmarrjes. Punëdhënësit kërkuan që aktet nënligjore që po përgatiten në zbatim të Ligjit, para se të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave, të konsultohen me grupet e interesit dhe, paralelisht, të fillojë puna për përgatitjen e manualeve teknike për marrjen e masave të sigurimit teknik për degë të veçanta të ekonomisë. Mbledhja e KKP-së shtyu për rishikim Rregulloren e re të Këshillit Kombëtar të Punës, me qëllim konsultimin me përfaqësuesit e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Këshilli Kombëtar i Punës është struktura më e lartë e dialogut social në vend dhe në të marrin pjesë 27 anëtarë të përhershëm, nga të cilët dhjetë përfaqësues të organizatave të punëmarrësve, dhjetë të punëdhësve dhe shtatë ministra. KKP mblidhet minimalisht katër herë në vit./s.s./
KOMENTE