English

Sport-Botëror/ "Afrika E Jugut 2010" , Edhe Portugezi Nani Jashtë Botërorit

IRANË, 8 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Dëmtimet nuk kanë fund në prag të kampionatit botëror të futbollit "Afrika e Jugut 2010". Listës së gjatë të të dëmtuarve para fillimit të Kupës së Botës, së fundi iu shtua edhe mesfushori i Portugalisë, Nani. Anësori që luan me Mançester Junajtid në Premier Ligë pësoi një dëmtim në shpatull gjatë stërvitjes së sotme. Menjëherë trajneri Karlos Keiroz e ka zëvendësuar me mesfushorin e Benfikës, Ruben Amorim. Pas kapitenit gjerman, Mikael Balak, kapitenit ganez, Mikael Esien, kapitenit anglez, Rio Ferdinand dhe mesfushorit nigerian Obi Mikel, një tjetër yll i kampionatit anglez ndërpret ëndrrën për të luajtur në Afrikën e Jugut. Ndërkohë sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, i është bashkuar sot skuadrës, pasi kaloi fundjavën në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në krahun e dëmtuar. Por ende nuk është e sigurt nëse lojtari i Çelsit do të jetë gati për ndeshjen e parë kundër Portugalisë në grupin G. Mjekët janë optimistë për një rikthim sa më parë të jetë e mundur. Ndërsa Holanda ka zhvilluar stërvitjen e parë në tokën afrikane, gjithë sy e veshë nga sulmuesi Arjen Roben. Anësori i Bajernit të Mynihut pësoi një dëmtim në kofshën e majtë gjatë miqësores me Hungarinë, megjithëse kontrollet e para flasin për një problem më të vogël nga sa parashikohej në fillim. Kurse mesfushori i italian, Andrea Pirlo, që u dëmtua në miqësoren me Meksikën, po zhvillon stërvitje individuale. Për fantazistin e Milanit shpresat janë për një rikthim në ndeshjen e fundit në grup./s.s./
KOMENTE