English

Sport-Botëror/ Mbrojtësit, Siguria E Skuadrës Në Çdo Moment

- Fabio Kanavaro, Lucio, Xhon Terry dhe Gerard Pike, liderët e mbrojtjes në ekipet e tyre -. TIRANË, 8 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Mbrojtësit kanë treguar gjithnjë se janë një pikë e rëndësishme e triumfit të skuadrave, pasi dhe sikurse thotë një shprehje në futboll, "një sulm i mirë të bën të fitosh ndeshje, ndërsa një mbrojtje e mirë të bën të fitosh kampionate". Lideri i mbrojtjes është ndonjëherë edhe i gjithë skuadrës, pasi është nga më delikatët. Veçanërisht kur në një eveniment si Botërori, ke përballë talentët më të mirë që janë në qarkullim. Rëndësinë e mbrojtjes italianët e njohin shumë mirë. Për vite kanë qenë shembull për të gjithë botën. Në më shumë se një rast i kanë ndërtuar triumfet e tyre, duke u bazuar tek arti për të mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit. Italianët e mbajnë mend shumë mirë paraqitjen monumentale të Kanavaros. Triumfi në Gjermani 2006 mban etiketën "Made in Italy" dhe fytyrën e Fabios, i pakalueshëm në luftën në ajër, në shpejtësi dhe në përballjen një me një me kundërshtarët. Kapiteni i Italisë, që mbas Afrikës së Jugut do t'i thotë lamtumirë kombëtares nuk ka të njëjtin rendiment si në të kaluarën, por mbetet një ikonë ndërkombëtare në pozicionin e tij, një shembull jashtë dhe brenda fushës, që duhet studiuar nga ata që duan të bëjnë këtë profesion. Fabio Kanavaro ka lindur në Napoli më 13 shtator 1973. Ka debutuar në Serinë A me Napolin më 7 mars të vitit 1993. Në Itali ka luajtur edhe me Parmën, Interin dhe Juventusin, duke fituar dy Kupa të Italisë, një Superkupë të Italisë, një Kupë UEFA dhe dy kampionate të fituar me Juventusin (njëri i anulluar dhe tjetri i hequr nga drjetësia sportive). Me Realin ka fituar dy kampionate dhe një Superkupë në Spanjë. Me Italinë ka zënë vendin e dytë në Europianin e 2000-it, para se të fitonte Botërorin e 2006-ës. Ka fituar "Topin e Artë" dhe çmimin "Lojtari më i Mirë i FIFA"-s në 2006-ën. Pavarësisht sezonit zhgënjyes me Juventusin dhe moshën e madhe, kapiteni italian meriton akoma të bëjë pjesë tek grupi i mbrojtësve më të mirë të botës, ku tani bën pjesë me të drejtë Zherard Pike. Mbrojtësi i Barcelonës është shembulli ideal i mbrojtësit qëndror modern. I kujdesshëm dhe i zgjuar në fazën mbrojtëse, ai i bashkon markimit të kundërshtarit një aftësi të jashtëzakonshme në kontrollin dhe mbajtjen e topit. Ka vizion loje dhe në disa momente gjatë ndeshjes mund të kthehet në një mesfushor sulmues. Zherard Pike ka lindur në Barcelonë më 2 shkurt të 1987-ës. Eshtë rritur në "kantierin" e katalanasve, por futbollin profesionist e ka nisur në Angli me Mançester Junajtid (2004). Me anglezët ka fituar një Champions, një kampionat, një Kupë të Ligës dhe një Superkupë. Eshtë kthyer tek Barcelona në 2008-ën. Në sezonin e kaluar ka fituar gjithçka me Barçën: kampionatin, Kupën e Spanjës, Superkupën e Spanjës, Champions Ligën, Superkupën e Europës dhe Botërorin për klube. 23-vjeçari, konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë të botës. Nuk ka bërë pjesë në kombëtaren spanjolle që ka fituar europianin e fundit, por në Kupën e Konfederatave ka treguar se ka eksperiencën e mjaftueshme për të luajtur me kombëtaren. E njejta eksperiencë, që e bëjnë Lusion dhe Terrin të pazëvendësueshëm tek Brazili dhe Anglia. Kapelo ia ka dorëzuar çelësat e mbrojtjes angleze kapitenit të Çelsit, që në tre edicionet e fundit të Championsit ka fituar titullin si mbrojtësi më i mirë i këtij kompeticioni. Terri e ka humbur shiritin e kapitenit për çështje që nuk kishin të bënin me futbollin, por për shokët e skuadrës mbetet një pikë referimi shumë e rëndësishme. Forca fizike dhe loja perfekte në ajër e lejojnë Terrin të jetë një armë më shumë edhe në sulm, veçanërisht gjatë goditjeve nga këndi ose nga ato të dënimit. Xhon Xhorxh Terri ka lindur në Barking më 7 dhjetor të 1980-ës. Në moshën 14-vjeçare u bë pjesë e sektorit të të rinjve të Çelsit. Me blutë e Londrës ka fituar tre kampionate, dy Kupa të Anglisë, dy Kupa të Ligës dhe dy Superkupa të Anglisë. Eshtë shpallur tri herë "Mbrojtësi më i mirë i Champions Ligës" (2006-07, 2007-08, 2008-09). Por pikërisht Championsi përfaqëson një plagë të hapur, duke parë se ka humbur penalltinë vendimtare në finalen kundër Junajtid (2008). Tek kombëtarja ka humbur shiritin e kapitenit për shkak të një skandali seksual Më pas, vjen Lusio, një lojtar me teknikë braziliane dhe mentalitet europian. Klas dhe eksperiencë pa fund, Dunga e ka bërë kapiten të Seleçaos dhe ai do të kërkojë t'ia shpërblejë duke i dhuruar Kupën e Botës në Afrikën e Jugut. Lusimar Ferreira da Silva, i njohur si Lusio, ka lindur në Brazil më 8 maj 1978. Në Europë kaloi në vitin 2000 në Gjermani me Bajer Leverkusenin, ku ka humbur një finale të Championsit kundër Realit të Madridit në 2002-in. Me Bajernin ka fituar tre kampionate, tri Kupa të Gjermanisë dhe dy Kupa të Ligës. Kapiteni aktual i Brazili, me fanellën e Seleçaos është shpallur kampion i Botës në 2002-in në Kore dhe Japoni./n.m/
KOMENTE