English

Sport-Dossier/ Botërori 1998, Zidane I Dha Francës Kupën E Parë Të Botës

- Në Kupën e Botës 1998, ekipi i përfaqësueses franceze shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë, pasi arriti që të ngrinte në Paris trofeun më të rëndësishëm në botë - TIRANË, 8 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Franca, shtëpia e Zhyl Rime, babait të Kupës së Botës së FIFA-s, më në fund bëri të sajën Kupën në verën e 1998-s, fitore e paharrueshme për kampionët e rinj, që kishin përjetuar disfatë në dy gjysmëfinale para se të mbërrinin në këtë finale. Turneu i vjetër ishte bërë më i madh se kurrë më parë dhe Kupa e 16-të e Botës numëronte 32 skuadra në finalet e saj. Me rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse, u rrit edhe numri i vendeve kualifikuese për secilin kontinent, i përkthyer në mundësi për më shumë skuadra nga Afrika, Azia dhe CONCACAF. Me këtë rast, Afrika e Jugut u kualifikua për herë të parë së bashku me Xhamajkën dhe Japoninë. Tashmë ishin 8 grupe me nga 4 skuadra secili, ishin shpërndarë në të gjithë Francën, por vendi për ndeshjen e hapjes dhe atë të finales i takonte vetëm të famshmit "Stade de France" (stadiumi në veri të Parisit). Aty, mbajtësi aktual i të titullit, Brazili, përuroi këtë Kupë me një fitore 2 - 1 ndaj Skocisë, falë një autogoli të Tom Boyd. Surpriza e madhe e raundit të parë ishte dështimi i Spanjës, e cila pagoi në këtë mënyrë një nisje jo të mirë në grupin D. Pasi humbi 3-2 ndaj Nigerisë dhe pas një barazimi me Paraguain, skuadra e Javier Clementes kaloi Bullgarinë, por pa sukses të mëtejshëm. Paraguai mundi fituesit e grupit, Nigerinë, në të njëjtën natë, duke i kushtuar në këtë mënyrë kualifikimin Spanjës. Ndërkohë, Rumania përfundoi në krye të grupit G, para Anglisë dhe Kolumbisë, por gëzimi nuk ishte fatndjellës, duke parë eliminimin e tyre në raundin e mëpasshëm. Në grupin A, Norvegjia siguroi një kualifikim të minutës së fundit pas penalltisë së Kjetil Rekdalit, penallti kjo që i solli një fitore ndaj Brazilit dhe daljen para Marokut. Irani shkoi në shtëpi vetëm me një çmim inkurajues që ishte një fitore në ndeshjen ndaj SHBA-ve. Mbështetësit e Skocisë dhe Xhamajkës lanë shije të mirë, ndërkohë që iu desh të ktheheshin në shtëpi. - Dramë në Saint-Etienne: Drithërimat e 16-shes erdhën në Saint-Etienne, aty ku Anglia dhe Argjentina luajtën një ndeshje epike. Pjesa e parë ishte një klasike në miniaturë: pas penalltive për secilën nga skuadrat vetëm në 10 minutat e para, goli i adoleshentit Michael Owen e çoi Anglinë në avantazh, para se Javier Zanetti të ekzekutonte në mënyrë të mençur një goditje të lirë për të barazuar rezultatin e pjesës së parë në 2-2. Pas pushimit, golat i hapën rrugën konsumimit të një drame të vërtetë, ku në përfundim të pjesës së dytë, i mbeti në dorë kohës shtesë dhe penalltive. Heroi ishte Carlos Roa, i cili shpëtoi portën e skuadrës së tij, duke mundësuar vazhdimin e ëndrrës për Argjentinën. Franca, ndërkohë, pati një luftë nervash gjatë rrugës që më pas do ta çonte në finale. U desh aplikimi i "Golit të Artë" (për herë të parë në këtë kompeticion) i shënuar nga Blanc për të thyer rezistencën e Paraguait, të udhëhequr nga portieri simpatik, Jose Luis Chilavert, pikërisht në minutën e 113-të. Në gjysmëfinale ata u gjendën përballë Italisë, skuadër që e dërguan në shtëpi, pas një raundi penalltish kokëçarëse, por që në fund rezultoi pozitiv për ta. - Këpuca që meritoi Suker- Në gjysmëfinale, skuadra mikpritëse u përball me surprizën e këtij turneu: Kroacinë, që ishte paraqitja e tyre e parë si skuadër e një shteti të pavarur pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Para se të mbërrinin deri këtu, ata zmbrapsën kampionët në fuqi të Evropës, Gjermaninë, me një rezultat 3 - 0. Më pas, ata mbollën një heshtje varri në "Stade de France", kur fituesi i "Këpucës së Artë", Davor Suker tundi rrjetën franceze menjëherë pas pushimit. Gjithsesi, ishin golat e parë të shënuar në skenën ndërkombëtare të Lilian Thuram, që i siguruan Francës një vend në finale. Marseja mikpriti gjysmëfinalen tjetër mes Brazilit dhe Holandës. Kjo e fundit ishte plot vetëbesim, pasi mundi Argjentinën pas një goditjeje model të Dennis Bergkamp. Pas golave të shënuar më pas nga Ronaldo dhe Patrick Kluivert, Brazili ia doli të priste biletën për në finale përmes penalltive, duke i lënë sërish holandezët me "top" në gojë. Dhe ja ku erdhi 12 korriku, duke marrë hua ca rreshta "Marsejezës" së famshme, "dita e lavdisë" mbërriti në një ndeshje që filloi me riaktivizimin që në fillim të Ronaldos në fushë për Brazilin, në vend të Edmundos. Gjithsesi, Ronaldo ishte hija e vetvetes në finalen me Francën, që vuante mungesën e Blanc-ut. Dy goditje nga këndi të ekzekutuara nga Zidane i dhanë Francës një avantazh 2 - 0. Përtej pezullimit të Marcel Desailly në pjesën e dytë, skuadra e Aime Jacquet ia doli të shënonte golin e tretë me anë të Emmanuel Petit gjatë një kundërsulmi në minutat e fundit. Vërshëllima e fundit e marokenit Said Belqola, i pari arbitër afrikan që drejtoi një ndeshje të Kupës së Botës, u dha të gjitha arsyet francezëve për të festuar. Një skuadër që përfaqëson shoqërinë shumetnike franceze, kishte bashkuar kombin. Në Champs Elysees u mblodhën më shumë se një milion festues që kërcyen gjatë gjithë natës. - A e dini se? - Dane Michael Laudrup gjeti golin në Francë '98 fiks pas 12 vjetësh e 16 ditësh nga dita kur realizoi golin e tij të parë në një Kupë Bote. Por rrjeta e tij nuk e shpëtoi Danimarkën nga humbja, pasi me Francën ekipi nordik u mund 2-1. - Futbollisti nga Danimarka, Ebbe Sand, shënoi golin më të shpejtë në historinë e botërorëve, realizuar nga një futbollist zëvendësues: vetëm pas 16 sekondash pasi hyri në fushë në takimin Danimarkë-Nigeri (4-1). - Pas dështimeve në dy takimet e para, ekipi i Arabisë Saudite, Republikës së Koresë dhe Tunizisë ndërruan trajnerët. Dhe në takimet e treta që të tria këto ekipe morën nga një barazim. - Në të tria ndeshjet e saj, Austria shënoi në minutat shtesë të pjesës së dytë, që i siguroi barazime dhe një ngushëllim në ndeshjen me Italinë. - Futbollisti nga Argjentina, Gabriel Batistuta, u bë futbollisti i vetëm që shënon dy tregolësha në Kupa Bote. Në 1994-n ai shënoi tri herë ndaj Greqisë, ndërsa në 1998-n ai përsëriti vetveten, duke shënuar tre gola ndaj Xhamajkës. - Skuadrat pjesëmarrëse: Kameruni Maroku Nigeria Afrika e Jugut Tunizia Irani Japonia Rep. e Koresë Arabia Saudite Austria Belgjika Bullgaria Kroacia Danimarka Anglia Franca Gjermania Italia Holanda Norvegjia Rumania Skocia Spanja Jugosllavia Xhamajka Meksika SHBA Argjentina Brazili Kili Kolumbia Paraguai - Shifra dhe fakte: Skuadra: 32 Ndeshje: 64 Gola të shënuar: 171 (2.7 gola të shënuar për ndeshje) Shikueshmëria: 2785100 (43517 shikues për ndeshje) Vendi I: Franca Vendi II: Brazili Vendi III: Kroacia Vendi IV: Holanda ADIDAS Topi i Artë: Ronaldo ADIDAS Këpuca e Artë: Davor Suker Çmimi Lev Yashin, Portieri më i mirë: Fabien Barthez Çmimi Fair Play: Anglia, Franca Skuadra më spektakolare: Franca./n.m/
KOMENTE