Sport-Merkato/ Mirel Josa, Trajneri I Ri I Shkumbinit
TIRANË, 8 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ Mirel Josa do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Shkumbinit të Peqinit, sezonin e ardhshëm.
Ish-tekniku i Skëndërbeut, që u shkarkua nga korçarët për ti lënë vendin Shkëlqim Muçës, ka marrë drejtimin e pankinës së një tjetër skuadre që sezonin e ardhshëm synon titullin kampion.
Josa nënshkroi mbrëmjen e sotme një kontratë 2-vjeçare me ekipin e Shkumbinit, ndërkohë që zyrtarizimi pritet të bëhet nesër në mesditë.
Gjatë karrierës së tij si futbollist Josa ka luajtuar për skuadrën e Tiranës ku është shpallur disa herë kampion i vendit. Si trajner Josa ka drejtuar ekipin e Tiranës me të cilin është shpallur një herë kampion, si dhe ka drejtuar skuadrat e Vllaznisë, Elbasanit, Teutës dhe Skëndërbeut.
Që kur president i Shkumbinit është vënë biznesmeni Ylli Ndroqi me 85% të aksioneve të klubit, skuadra nga Peqini ka kryer 5 blerje mes të cilëve katër ish-lojtarë të Besës si Bledar Mancaku, Daniel Xhafaj, Endri Vrapi dhe Erbim Fagu si edhe kosovarin Driton Krasniqi.
Një emër tjetër që përflitet për të veshur fanellën e Shkumbinit është edhe qendërmbrojtësi kroat, Toni Pezo, i cili para dy sezonesh luajti si i huazuar te Tirana nga Hajduku i Splitit.
Shkumbini, një klub i themeluar në vitin 1924, militon në Kategorinë Superiore pa ndërprerje qysh nga sezoni 1994-1995, në të cilin është renditur në vendin e shtatë në një kampionat me 16 skuadra.
Renditjen më të mirë në 16 kampionatet ku ka marrë pjesë është vendi i pestë në sezonin 2008-2009, kur president ishte Xhavit Ismaili, që mund të afrohet si donator te Elbasani në sezonin e ardhshëm.