English

Sport-Merkato/ Shkëlqim Muça, Premton Titullin Kampion Për Skënderbeun

TIRANË, 8 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/- trajneri i ri i Skënderbeut për sezonin 2010-2011, Shkëlqim Muça sapo është prezantuar në Korçë, pasi Presidenti Agim Zeqo dhe ish-trajneri i Dinamos nënshkruan zyrtarisht kontratën. Kështu mbaroi dhe telenovela "Mirel Josa", që njëherë u konfirmua në prag të play-out me Kamzën, më pas dha dorëheqjen, sërish u konfirmua te Skënderbeu, e sërish doli jashtë loje. Skënderbeu nuk fiton prej 77 vjetësh një titull kampion. Për herë të parë dhe të vetme e ka fituar në vitin 1933, e që përkonte me kampionatin e 3-të kombëtar të futbollit. "Puna ime ka filluar dhe brenda pak ditësh do të kemi konturuar ekipin pretendent për të qenë kampion, sepse titulli nuk duhet të mbetet vetëm në Tiranë", tha Muça gjatë prezantimit. Shkëlqim Muça ka dalë katër herë kampion si trajner: tri herë me Tiranën (1994-1995, 1999-2000, 2006-2007) dhe një herë me Dinamon (2009-2010). Muça ka fituar edhe një Superkupë me Tiranën. Skënderbeu do të jetë skuadra e pestë që do të drejtojë në karrierën e tij trajneri 50-vjeçar, pasi më parë ka drejtuar Tiranën (1994-1995, 1995-1996, 1999-2000, 2005-2006), Teutën (1996-1997), Besën (1998-1999) dhe Dinamon (2008-2009, 2009-2010)./n.m/
KOMENTE