Sport-Merkato/ Shkumbini "Shopping" Tek Besa, Merr 3 Lojtarë
- Presidenti i ri i Shkumbinit, Ylli Ndroqi deri tani ka firmosur me pesë lojtarë, përfshirë dhe Daniel Xhafajn dhe kosovarin Driton Krasniqi -.
TIRANË, 8 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Presidenti i ri i Shkumbinit, Ylli Ndroqi vazhdon serialin e goditjeve të mëdha në merkaton shqiptare, pasi Bledar Mancaku, Endri Vrapi dhe Erbim Fagu, tre ish-lojtarë të Besës, do të luajnë sezonin e ardhshëm me klubin peqinas.
Me klubin bardhekaltër firmosi edhe golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, sulmuesi vlonjat Daniel Xhafaj, edhe ky një ish-lojtar i Besës, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe nënkampione e vendit.
Mesfushori sulmues Bledar Mancaku (28 vjeç, me 5 gola sezonin e kaluar) ka veshur në Shqipëri fanellat e Teutës, Vllaznisë, Partizanit dhe Besës, por dhe është aktivizuar në kampionatin turk me Gençlerbirixhi (2000-2001). Shkumbini është skuadra e pestë në karrierën e durrsakut.
Mbrojtësi Endri Vrapi (28 vjeç) ka luajtur me Partizanin, Lushnjën, Elbasanin (kampion), Teutën, Tiranën dhe Besën. Për të, Shkumbini do të jetë skuadra e shtatë në karrierën e mbrojtësit të Kombëtares.
Mbrojtësi Erbim Fagu (23 vjeç) ka luajtur me Tiranën, Teutën, Elbasanin dhe Besën, ndërsa Shkumbini është skuadra e pestë në karrierën e tij.
Presidenti i ri i Shkumbinit, Ylli Ndroqi, deri tani ka firmosur me pesë lojtarë, përfshirë dhe Daniel Xhafajn dhe kosovarin Driton Krasniqi.
Një emër tjetër që përflitet për të veshur fanellën e Shkumbinit është edhe qendërmbrojtësi kroat, Toni Pezo, i cili para dy sezonesh luajti si i huazuar te Tirana nga Hajduku i Splitit.
Shkumbini, një klub i themeluar në vitin 1924, militon në Kategorinë Superiore pa ndërprerje qysh nga sezoni 1994-1995, në të cilin është renditur në vendin e shtatë në një kampionat me 16 skuadra.
Renditjen më të mirë në 16 kampionatet ku ka marrë pjesë është vendi i pestë në sezonin 2008-2009, kur president ishte Xhavit Ismaili, që mund të afrohet si donator te Elbasani në sezonin e ardhshëm./n.m/