Tiranë, 8 Qershor, NOA – Vepra “Statutet e Drishtit”, i vetmi i zbuluar në bregdetin e Adriatikut dhe botimi i plotë i dorëshkrimit të rrallë të vitit 1468, që përmbledh statutet e kapitullit të kishave dhe katedrales së Drishtit që vlenin për funksionimin e vetë qytetit, u nderua sot me çmimin kombëtar të bibliofilisë “Lumo Skëndo”.
Kjo vepër, dorëshkrimi origjinal i të cilës ruhet në bibliotekën mbretërore të Danimarkës, është përmbledhur nga dy studiuesit Musa Ahmeti dhe Etleva Lala dhe botuar nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.
Në të katërtin vit të dhënies së këtij çmimi tradite që mban emrin e mendimtarit të rrallë shqiptar Mit’hat Frashëri, dhe themeluesit të bibliofilisë shqiptare, ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj theksoi se ky çmim para së gjithash i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale.
“Ky çmim i përvitshëm, i vetmi në llojin e tij në vendin tonë, synon të promovoje dhe nxisë cilësinë në fushën e editorisë për t’iu dedikuar veçanërisht përkrahjes së prirjeve moderne, emancipuese dhe estetike të botuesve shqiptarë”, nënvizoi ministri i Kulturës gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit të bibliofilisë.
Më tej Xhaferraj shtoi se “krijimi i standardeve dhe ruajtja e traditës është një sfidë që i vihet përpara institucioneve shtetërore, krijuesve, intelektualëve, grupeve të interesit dhe krejt shoqërisë shqiptare, e në këtë kontekst, Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo”, përbën një vlerë si në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve, ashtu edhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare”.
Vepra “Statutet e Drishtit” u përzgjodh si fituesja e çmimit “Lumo Skëndo” ndërmjet botimesh të tjera serioze të vitit 2009, si “Albumi Shima” i botuar nga Toena; “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit botuar nga Argeta LMG; “Fati i Shqiperise” i Lumo Skëndos botuar nga Belina; Kristoforidhi – Bibla; “Pylli i Mrekudhive” botuar nga Edu Alba si dhe “Mjeda” i Mentor çukut.
mit/NOA